Shkruan: Veton Surroi
Një polic nga Rudari i Kurshumlisë si simbol i çdo gjëje që shkon keq në procesin negociator Kosovë-Serbi
1. Mësimi i parë i ngjarjeve të këtyre ditëve në katër komunat veriore të Kosovës është se konflikti mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka përfunduar. Edhe pas 24 vjetësh, prej kur Serbia ka nënshkruar kapitullimin me NATO-n, ajo ende nuk e ka nënshkruar marrëveshjen e paqes dhe bashkëpunimit me Kosovën.
Gjatë proceseve të ndryshme negociatore, prejse për këto është autorizuar Bashkimi Evropian, Serbia në mënyrë konsekuente ka mbrojtur qëndrimin e vet për mbajtjen të papërfunduar të konfliktit me Kosovën. Ky konflikt quhet “statusi përfundimtar” i Kosovës, i cili sipas Serbisë është ende i papërcaktuar, dhe për përcaktimin e të cilit duhet pëlqimi përfundimtar i Serbisë.
Me këtë qëndrim janë akomoduar bashkësia ndërkombëtare dhe përfaqësuesit e Kosovës që nga fillimi i procesit negociator më 2011.
BE-ja ka besuar se e kishte tejkaluar këtë qëndrim me “Marrëveshjen bazike të normalizimit”, që filloi si Plani franko-gjerman. Ky plan duhej të vendoste që nga fillimi parimin e marrëdhënieve mes dy shteteve sovrane, që për momentin nuk e njohin njëra tjetrën. Por Serbia i mbeti konsekuent qëndrimit të vet, madje duke mos pranuar fare se është dakorduar me “Marrëveshjen bazike të normalizimit”. Në interpretimin e Serbisë nuk ekziston një nënshkrim i presidentit apo dakordim gojor i tij për “Marrëveshjen bazike të normalizimit”, rrjedhimisht ajo nuk ekziston.
Rrjedhimisht, është brenda kësaj logjike që një Dragan Smigiq, polic i Rudarit, fshat i Komunës së Kurshumlisë, të paraqitet në barrikada në Zveçan e të rrahë ushtarë të KFOR-it me shkopin e tij zyrtar. Ai i rrah në logjikën e pushtetit të Serbisë “okupatorët”.
2. Mësimi i dytë është se logjika ka elasticitetin e konfliktit. Sa më shumë zgjatet konflikti, aq më shumë akomodohet në këtë zgjatje edhe kjo formë e veçantë e logjikës.
Dërgimi i një polici, veshur në civil- së bashku me qindra të tjerë që kanë të përbashkët mënyrën e veshjes, disiplinën e turmës dhe agresivitetin e grupit të trajnuar për krijim tollovie e sulmi kundër njësiteve për kontrollin e turmës-kundër njësiteve të NATO-s në Kosovë nuk duhej të kishte kuptim. Një shtet si Serbia, çfarëdo e çoroditur të jetë logjika e saj sunduese , megjithatë do të godiste veten nëse do ta sulmonte NATO-n.
Por, një logjikë e këtillë ka pësuar elasticitet.
Serbia ka sfiduar kufijtë e mirësjelljes së një shteti evropian në dy nivele parësore. E ka sfiduar në rastin e Rusisë, duke ushqyer popullin e vet në propagandë shtetërore e parashtetërore me përcaktim nga lart animin në anën e agresorit në luftën e Ukrainës, dhe rrjedhimisht distancim të plotë nga politika evropiane. E ka sfiduar, po ashtu, në çështjen e Kosovës, duke ndjekur narrativin e konfliktit të papërfunduar që duhet të mos përfundojë me pavarësinë e Kosovës.
Ky elasticitet e sjell logjikën në inversion. Pra, do të ishte brenda mendjes së shëndoshë që Serbia të rreshtohej me kontinentin evropian, të cilit i përket, e të distancohej prej Rusisë dhe që njëkohësisht të gjejë mënyra akomodimi me Kosovën e pavarur si pjesë e fqinjësisë së mirë, në mënyrë që kështu të integrohet e të përkrahet financiarisht dhe politikisht.
Por në inversionin e logjikës, Serbisë i ka rezultuar se ka vëmendje evropiane dhe amerikane nëse njëkohësisht i shtyn kufijtë e përkrahjes së vet për Rusinë dhe të mosnormalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.
Ky inversion ka arsye të ekzistencës. Serbia në mënyrë të suksesshme e ka transformuar rolin e saj prej shtetit ndaj të cilit ushtrohet presion për të qenë pjesë politike e kontinentit (“bëje këtë ose do të kesh sanksione”) në shtet i cili pret joshje për të qenë pjesë politike e kontinentit evropian.
Dragan Smigiq duke rrahur ushtarët e KFOR-it është simbol i inversionit. Tash duhet lutur Serbinë që të jetë e mirësjellshme; dikur është pritur që të jetë e tillë, dhe nëse jo pasonte ndëshkimi.
3. Mësimi i tretë është se jo çdo gjë ka të bëjë me Kosovën. Ngjarjet në veri kishin të bënin me Ukrainën, Rusinë dhe Beogradin. Në Prishtinën zyrtare mund të dukej krejtësisht e logjikshme që të dërgohen tre kryetarë komunash me polici speciale në zyrat e tyre. Por dërgimi me polici speciale, ndonëse ishte pjesë e legalitetit, nuk mund të kompensonte mungesën e legjitimitetit të tyre. Madje, shumë tej këtij debati mes legalitetit dhe legjitimitetit, nga perspektiva e sigurisë evropiane, barrikadat e Zveçanit u panë si një rast i mirë për ta testuar NATO-n kur ajo është e angazhuar në përkrahjen e Ukrainës.
Kur Dragan Smigiqi rrah ushtarët e NATO-s në Zveçan, shkopi i tij lartësohet në Moskë. Nga ana e perspektivës së Putinit, ai është një vullnetar i tij në luftën që Rusia po e zhvillon kundër civilizimit perëndimor.
Rrjedhimisht, shkopi i Dragan Smigiqit është paralajmërim për demonstruesit e qetë të Beogradit, të asaj pjese të heshtur të shoqërisë serbe nga e cila po frikësohet pushteti, se edhe ata janë kundërshtarët e luftës së madhe që po zhvillohet kundër Perëndimit.
Fundja, nuk është hera e parë. Kur pushteti i Milosheviqit ndjeu se ishte në rrezik, shpalli luftën kundër popujve fqinj. Kur njëherë i nxori tanket kundër opozitës së vet më 1991, shpejt arriti që të konsolidohej duke i drejtuar kundër kroatëve e boshnjakëve dhe shqiptarëve.
Tridhjetë vjet më vonë nuk është vështirë të kuptohet që shkopi i Dragan Smigiqit, që rrahu ushtarët e NATO-s, t’i rrahë edhe qytetarët e Beogradit që protestojnë të qetë kundër pushtetit të dhunës në Serbi.
4. Mësimi i katërt është si ai i pari. Konflikti mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka përfunduar. Barrikadat ngrihen e zhbëhen, ushtarët e policët rrihen, vendosen e tërhiqen, fjalët e mëdha shqiptohen e harrohen – por në fund, megjithatë, duhet të zhvillohet një proces negociator që arrin fundin e konfliktit.
Kjo arritje nuk mund të bëhet pa SHBA-në dhe BE-në e Mbretërinë e Bashkuar, e pa disa prej shteteve evropiane si Gjermania, Franca dhe Italia, me përfshirje më të madhe në çështje të paqes e sigurisë në Kosovë.
Dragan Smigiqi dhe shkopi i tij që rrah ushtarët e KFOR-it duhet të konsiderohet si një episod, por episod serioz, i ballafaqimit me faktin se paqja nuk ndërtohet me iluzionin e deklarimit ceremonial se është arritur një marrëveshje normalizimi.
Është koha për veprime serioze. Ndoshta hapi i parë për Kosovën do të duhej të ishte një dakordim se si tutje, me përkrahësit më të mëdhenj të pavarësisë së saj, e në bazë të një skice udhërrëfyesi në të cilin beson ky vend./Koha.net