Sanella Shkrijel është njëra nga deputetët e LSDM-së që votoi “kundër” Ligjit të amnistisë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, të propozuar nga ministri i Drejtësisë nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, Krenar Lloga.
Shkrijel në “10 minuta” në TV21 tha se njëri argument që bazohet në të dhënat e siguruara nga deputetë e kësaj partie, është se me Ligjin për amnisti nga burgu do të dalin rreth 200 të burgosur, ndërkaq numri i personave që presin të hyjnë, është mbi 3.000.
“Fillimisht dua të them se edhe unë dhe kolegët e mi në Kuvend besojmë në qëllimin e sinqertë të Ministrit të Drejtësisë, që ta zgjidhë problemin e madh dhe shumëvjeçar me mbipopullimin dhe me kushtet e këqija në burgje. Ministri i Drejtësisë tregoi me të vërtetë interesim të lartë për këtë temë, e cila po, do të thotë avancim të të drejtave të njeriut, përkatësisht përmirësim të kushteve në burgje. Megjithatë, me vetë inicimin e këtyre ligjeve hapet diskutim se nëse kjo zgjidhje siç është, do ta zgjidhë problemin? Ne si deputetë menjëherë kemi kërkuar analiza, kërkuam edhe të dhëna dhe e dini si, realiteti është se me këto ligje, ndryshime ligjore, gjegjësisht me ligjin për amnisti numri i personave që do të duhet ta lëshojnë burgun, është 200 e ca, kurse rreth 3 mijë janë ata që presin të hyjnë. Ky është argumenti i parë që vendosëm të mos e mbështesim ligjin, sepse nuk do ta zgjidh problemin”, tha Shkrijel.