Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, dhe nënkryetari i parë i Qeverisë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, sot në Nish do të realizojnë takim pas të cilit do të mbahet konferencë e përbashkët për shtypin.
Dimitrov dhe Daçiq do të takohen pas kthimit të djeshëm të personelit të Ambasadës serbe në Shkup dhe bisedës telefonike nga ana e kryeministrit të Maqedonisë Zoran Zaev dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Pas bisedës telefonike Zaev dhe Vuçiq u dakorduan që Maqedonia dhe Serbia të investojnë përpjekje shtesë për përparimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ekonomike dhe rritjen e këmbimit tregtar midis dy vendeve. Kryeministri i Maqedonisë Zaev dhe presidenti i Serbisë Vuçiq u pajtuan se pa marrë parasysh të gjitha dallimet politike për disa çështje të caktuara të rëndësishme politike, Maqedonia dhe Serbia së bashku do të luftojnë jo vetëm për ruajtjen, por edhe për përparimin e marrëdhënieve miqësore midis popullit maqedonas dhe serb dhe qytetarëve të të dy vendeve.
Serbia tërhoqi papritmas personelin e Ambasadës së saj nga Shkupi për shkak të, siç qe arsyetuar, të veprimtarisë së spiunazhit, por doli që kjo ndodhi pasi Maqedonia do të mbështeste pranimin e Kosovës në UNESCO.
Maqedonia, sipas njoftimeve të fundit, do të mbështesë pranimin në UNESCO të Kosovës.
© KOHA.