Shkupi me aksion humanitar për Athinën, 88 viktima, gjenden edhe trupat e binjakeve të zhdukura

Një aksioni humanitar për Greqinë është duke u zhvilluar në Shkup. Një iniciativë qytetare ka hapur disa pika nëpër shkollat fillore të Komunës së Karposhit, për të grumbulluar produkte ushqimore dhe higjienike. Aktivistja Elvira Mustafa thotë se kanë për qëllim që përmes kontingjentit të Kryqit të Kuq ato t’i dërgojnë në Athinë, në zonën ku gjatë kësaj jave zjarri dogji vendbanime të tëra.

“Ky aksion po zbatohet që të gjithë ne të tregojmë humanizmin tonë. Për shkak se shumë më herët, kur neve na duhej ndihmë, Greqia na përkrahu. T’i harrojmë të gjitha urrejtjet, të heqim mllefin që njerëzit i ka përfshirë, të hapim zemrën dhe të ndihmojmë. Dua të bëj thirrje te të gjithë njerëzit, përmes TV21 tek të gjithë qytetarët e Maqedonisë, me të vërtetë atyre u duhet ndihmë. Unë nesër do të udhëtoj për në Athinë në formë të organizuar me shoqatat humanitare. Isha para dy ditësh atje, ku me të vërtetë situata është alarmante, familje të tëra janë djegur dhe shumë familje tjera të zhdukura”, u shpreh Elvira Mustafa – aktiviste.

Dy ditë më parë, Këshilli i Qytetit të Shkupit në një seancë të jashtëzakonshme njëzëri e miratoi vendimin për dhënien ndihmës në të holla. Me këtë vendim, si shprehje e solidaritetit me viktimat e zjarreve në Greqisë, Qyteti i Shkupit ndan ndihmë në vlerë prej 2 milionë denarëve, prej të cilave në vlerë prej 1 milionë denarë në të holla dhe ndihmë jo financiare në vlerë prej 1 milionë denarë.

“Sot sërish vazhdon aksioni humanitar për të ndihmuar në Greqi. Pjesëmarrja sot është më e ulët, ndoshta për shkak se njerëzit nuk janë këtu kanë shkuar me pushime. Megjithatë, ne shpresojmë se interesimi do të rritet, për shkak se dje kishte pjesëmarrje shumë më të madhe, njerëzit vijnë dhe japin kontributin e tyre për t’ju ndihmuar fqinjëve tanë në nevojë”, tha Dançe Milenkova – aktiviste nga B.L. “ Pece Bozhinovski – Koço”, komuna Karposh.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë thonë se deri më sot nuk ka marrë informacione për shtetas të Maqedonisë, të cilët kanë kërkuar ndihmë në përfaqësitë konsullare në Greqi.

“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse në Athinë, por edhe shërbimet për shpëtim. Informojmë qytetarët se deri më tani shtetasit e Maqedonisë nuk kanë kërkuar ndihmë në konsullatat në Athinë. Për shkak të zjarrit, në Greqi është shpallur gjendje e jashtëzakonshme.”

Ndërkaq, mbrëmë u gjetën trupat e pajetë të dy binjakëve Sofijas dhe Vasiliqes të familjes Tsukalis, të cilat u zhdukën pas zjarrit në Matti, pranë Athinës. Gjithashtu, edhe trupat e shkrumbuar të gjyshërve janë identifikuar, në krahët e të cilëve, sipas mediave greke, janë gjetur kufomat e vajzave nëntëvjeçare.

Që nga dita e martë, prej kur një zjarr i furishëm kaploi Atikën, deri më sot numri i viktimave ka arritur në 88 persona, prej të cilëve 63 janë identifikuar. Edhe dhjetëra banorë të zonës figurojnë si të zhdukur, qindra të lënduar. Më shumë se 6,000 prona janë dëmtuar, nga të cilat 720 banesa janë shpallur të pabanueshme dhe të rrezikshme për t’u strehuar.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme