Në gjykimin e Enver Sekiraqës për shtytjen në vrasjen e Triumf Rizës, në cilësi të dëshmitarit u dëgjua Besnik Hasani shoku dhe kolegu i këtij të fundit.
Dëshmitari Hasani deklaroi se Adelina Ismaili ka qenë e bindur se Enver Sekiraqa e ka vrarë Triumf Rizën.
“Adelina është kanë e bindur që Enver Sekiraqa e ka vra Triumfin, ajo edhe vetë ka qenë e kërcënume, bile e kam një pjesë të incizimit kur e thirrin Adelinën në telefon, edhe i thonë që ki me shku edhe ti te Triumfi shumë shpejt”, tha dëshmitari.
Ai në pyetjet e prokurorit Special Haki Geci, deklaroi se Triumfi të vetmin problem që e kishte e kishte me Enver Sekiraqën.
“Triumfi gjithmonë e ka përmendur Enver Sekiraqën dhe grupin e tij kriminal, ai nuk ka pasur problem me tjetër kënd, këtë ja u garantoj me jetë”, tha dëshmitari.
Sipas tij grupi kriminal i Sekiraqes përbëhej prej një person me pseudonim Ruqi, anëtarë të tjerë ishin Liza, Fjolla Morina, Rem Sekiraqa, Agroni dhe Faton Shoshi.
Pyetjet e Kosovare Kelmendit, avokates së Enver Sekiraqes nuk u lejuan nga gjykata, me arsyetimin se nuk kishin të bënin me çështjen.
Pas kësaj avokatja Kelmendi deklaroi se e bojkoton marrjen e pyetje të dëshmitarit për faktin se ky dëshmitar nuk ka kredibilitet dhe nuk pritet që të jetë i paanshëm pasi që ka marrëdhënie armiqësore me Enver Sekiraqën.
Enver Sekiraqa akuzohet për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe për detyrim.
Për këto vepra ishte dënuar me 37 vite burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë por Gjykata e Apelit rastin e kishte kthyer në rigjykim.
Për vrasjen e policit Riza, Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg pasi është gjetur fajtor në akuzën se ka qenë ai që e ka vrarë Triumf Rizën në vitin 2007 në lagjen ‘Santea” më Prishtinë.