Mark Samson, 23-vjeçari që vrau me thikë 22-vjeçaren Ilaria Sulën, ka rrëfyer për herë të parë detaje tronditëse të krimit, gjatë seancës së pyetjes së zhvilluar nga prokurorja Antonella Minnuni. Samson, i cili mashtroi të gjithë duke i bërë të besonin se Ilaria ishte arratisur me një mashkull tjetër, ka treguar se si kreu krimin në banesën e tij, ndërsa prindërit e tij ndodheshin atje.
Në deklaratën e tij për prokurorët, Mark Samson ka shpjeguar se e goditi Ilarian dy herë nga pas me një thikë, e cila ishte përdorur për të prerë proshutën. Ai ka shtuar se viktima nuk ka vënë re asgjë në momentin e goditjeve, dhe ka bërtitur pak, përpara se të humbte jetën menjëherë.
“Vdiq menjëherë,” ka thënë ai gjatë seancës prej 5 orësh, kur prokurorja e pyeti për detajet e ngjarjes.
Pas vrasjes, Samsoni ka treguar se ka fshehur trupin e pajetë të Ilarias në dy qese mbeturinash, që i kishte në kuzhinë. “Kam kontrolluar nëse Ilaria ishte ende gjallë, por ajo ishte e vdekur, në dysheme. E mbështolla me një qese nga koka deri tek legeni dhe më pas mbeta aty i traumatizuar nga ajo që kisha bërë. U ndjeva bosh,” ka treguar ai.
Samson ka thënë se më pas ka vendosur trupin e Ilarias në një valixhe që e ka gjetur në dhomën e prindërve të tij.
Përkundër përpjekjeve të tij për të fshehur krimin, hetimet e para dhe rezultatet e autopsisë sugjerojnë se Samson mund të ketë hedhur Ilarian në tokë para se ta godiste për vdekje me thikë.