Një grup i organizatave të shoqërisë civile përmes një reagimi kanë kundërshtuar atë që e kanë quajtur qëndrim të vazhdueshëm publik të krerëve të institucioneve shtetërore për të shtyrë përpara iniciativën e fundit të deputetëve të caktuar të Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me plotësim ndryshimin e Ligjit mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Sipas këtij reagimi Republika e Kosovës dhe institucionet e saj, Qeveria, Kuvendi dhe Presidenti i Republikës, përgjatë viteve 2015 dhe 2016, si rezultat i bisedimeve në Bruksel dhe me pëlqimin e mbështetjen e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve tjera mike ishin dakorduar për themelimin e Gjykatës Speciale.
“Ky hap i Kuvendit të Kosovës, aso kohe ishte ndërmarrë me arsyetimin se shkon në të mirë të Kosovës dhe rrugës së saj drejt konsolidimit të shtetësisë dhe forcimit të sovranitetit shtetëror. Përfaqësuesit ndërkombëtarë, përfshirë përfaqësues nga shtetet mike që kishin kontribuar në çlirimin e Kosovës, shpalljen e pavarësisë, shtet ndërtimin, njohjen e Kosovës nga më shumë se 100 shtete të OKB-së, pranimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, kishin deklaruar hapur se mungesa e vullnetit të institucioneve dhe liderëve politik për të themeluar një gjykatë të tillë, do të hapte rrugë që kjo gjykatë të themelohej nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, ku ndikim do të kishin edhe shtetet si Rusia, Serbia dhe shtetet tjera që kundërshtojnë pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës”, kujton ky grup i OJQ-ve.
OJQ-të në këtë reagim thonë gjithashtu se lidhur me themelimin dhe funksionalizimin e këtij mekanizmi, institucionet e Kosovës kishin lidhur marrëveshje kontraktuale me Bashkimin Evropian, Holandën si dhe kishin garantuar tek shtetet mike se Kosova do të përmbush në tërësi obligimet e saj ndërkombëtare në raport me këtë gjykatë.
“Gjithë këta hapa ishin ndërmarrë në vazhdën e implementimit të amendamentit kushtetues nr. 24, i cili i hapte rrugën themelimit të kësaj gjykate: me amendament flet sovrani si tërësi, me ligj vetëm një pjesë e tij. Kosova njëzëri dhe si Sovran foli me amendamentin e mësipërm kushtetues në gusht të vitit 2015 kur vendosi për t’i hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate”, thuhet në këtë reagim.
Organizatat e shoqërisë civile vlerësojnë se iniciativa për zhbërjen e Gjykatës Speciale cenon rëndë detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, bie ndesh me vlerat dhe parimet ndërkombëtare lidhur me sundimin e ligjit për të cilat është zotuar Kosova dhe konteston rënd subjektivitetin juridiko-ndërkombëtar të Shtetit të Kosovës sepse paraqet një shqetësim serioz të dobësimit të subjektivitetit ndërkombëtar të vendit: ky hap, po u realizua, përfundimisht tregon se Kosova ka mungesë të pasjes së zotësisë për të hyrë në marrëdhënie kontraktuale me shtete dhe organizata ndërkombëtare si pasojë e moszbatimit të të njëjtave marrëveshje ndërkombëtare për të cilat është zotuar se do t’i zbatoi në mënyrë solemne dhe me shkrim. Ky hap, po u realizua, paraqet edhe cenim të rënd të zakonit ndërkombëtar, diçka që Kosova nuk guxon dhe nuk duhet t’ia lejoi vetes nëse merret parasysh statusi i pakonsoliduar i shtetësisë së Kosovës. Madje, një qasje e tillë e Kosovës në raport më bashkësinë ndërkombëtare, bie në kundërshtim me parimin bazë të përgjegjësisë së shtetit në të drejtën ndërkombëtare, e cila përcakton qartë se çdo shtet që shkel një obligim ndërkombëtar duhet të mbahet përgjegjës për veprimet e tij deliktore: është përgjegjësi e shtetit që nuk respekton obligimet ndërkombëtare që menjëherë të ndaloj veprimet e tilla ose, në të kundërtën, të përballet me pasoja. Këto pasoja në rastin e Kosovës do të ishin të pariparueshme.
“Kosova si një shtet i ri, i cili ende është në fazën e shtet ndërtimit, me demokraci të brishtë, ekonomikisht dhe financiarisht i varur nga ndihmat dhe mbështetja ndërkombëtare, me nivel shumë të ultë të sundimit të ligjit, në kërkim të rrugës për të forcuar subjektivitetin e tij ndërkombëtar, duhet të sigurohet që të ndërmarr veprime dhe vendime politike që ngritin besimin dhe imazhin e saj në arenën ndërkombëtare. Çdo anashkalim nga kjo rrugë apo përpjekje e institucioneve të Republikës së Kosovës për të iu bishtnuar obligimeve ndërkombëtare, siç është rasti me Gjykatën Speciale, do të vente në rrezik shtetësinë e saj. Çka është edhe më e rëndësishme, me këtë hap Kosova do të mund të humbte besimin dhe përkrahjen e partnerëve të saj tradicional, si SHBA, Bashkimi Evropian, Britania e Madhe, Gjermania etj”, thuhet në reagimin e OJQ-ve.
Duke marrë parasysh të gjitha këto që u thanë më lartë, ne organizatat e shoqërisë civile, kërkojmë nga institucionet shtetërore si Presidenti i Kosovës, Kuvendi dhe Qeveria, që në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive kushtetuese të ndërmarrin përsipër përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare që dalin nga Kushtetuta e Kosovës, Ligji mbi Dhomat e Specializuara dhe detyrimeve ndërkombëtare në raport me Bashkimin Evropian, SHBA-në, Holandën dhe shtetet tjera mike.
Këtë reagim publik e mbështesin këto organizata joqeveritare:
Instituti i Kosovës për Drejtësi – IKD
Grupi për Studime Juridike dhe Politike – GLPS
Organizata Çohu
Instituti për Politika Zhvillimore – INDEP
Instituti GAP
Iniciativa për Progres INPO
Instituti KIPRED
CLARD
Instituti Columbus
© KOHA.