Shpend Ahmeti: As jam, as s’jam VV

Kryetari i Prishtinës po vazhdon të anojë çdo ditë e më tepër ka krahu i Dardan Molliqajt. Ai mbrëmë ka qenë i shoqëruar në Zone nga rebelët e LVV’së.

Kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmetit, tashmë i ka mbetur veç të deklarohet edhe zyrtarisht së është larguar nga Vetëvendosje e Albin Kurtit dhe ka kaluar në krahun e Dardan Molliqajt.

Ai kohëve të fundit është duke anuar ka krahu i Molliaqajt. I pari i Prishtinës, siç ka mësuar Express, mbrëmë ka kaluar disa momente relaksi në Zone Club me vëllain e Dardan Molliqajt dhe Frashër Krasniqin.

Po mbrëmë Ahmeti në një deklaratë dhënë KTV’së e pranoi haptas se ka mundësi të largohet nga Vetëvendosje.

“Nuk mund të gënjej dhe të them se gjërat janë mirë apo kanë qenë mirë. Por mendoj se kjo gjë do ta marrë epilogun e fundit pasi të gjithë të përcaktohen për të ardhmen e tyre”, ka thënë Ahmeti.

Ai mbrëmë ka refuzuar të flas më hollësisht për problemet në nivelin qendror dhe shtoi që është plotësisht i fokusuar për të përmbushur të gjitha premtimet e dhëna në fushatë zgjedhore, duke thënë që për të prioritet është Prishtina.

I pyetur nëse do të jetë kryetar i Prishtinës nga Vetëvendosja deri në fund të mandatit, ai u përgjigj duke thënë që nuk është i sigurt nëse do të jetë kështu.
“Jo, nuk thashë asgjë për siguri, as jam e as s’jam”, tha Ahmeti.