Ka kohë që dy emrat më me ndikim në Lëvizjen Vetëvendosje nuk kanë komunikuar midis vete, pos zyrtarisht, mëson portali Sakte.net nga burime mirë të informuara.
Kjo ftohje e raporteve midis këtyre dy figurave ka ardhur si rezultat ngaqë Ahmeti ka pasur rezervat e tij ndaj kandidaturës së Albin Kurtit dhe në mbledhjet e brendshme ka mbajtur krahun e të pakënaqurve.
“Të gjitha indikacionet flasin se ka qenë pikërisht Shpend Ahmeti ai i cili tërthorazi ka nxitur grupin e deputetëve kundër Albin Kurtit, ndërsa publikisht është munduar të mbajë një barazpeshë ngaqë në asamblen komunale të Prishtinës i duhen edhe votat e asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, pa të cilët nuk mund ta ketë shumicën”, thonë këto burime të cilat shtojnë se kjo është arsyeja se qëmoti Kurti dhe Ahmeti nuk shihen në publik së bashku si në të kaluarën. Madje, kësaj radhe Kurti as që e ka vizituar Ahmetin pas marrjes së mandatit të dytë në krye të Komunës së Prishtinës./Sakte.net