Një betejë e gjatë dhe e ashpër ishte zhvilluar midis autoriteteve komunale të Prishtinës dhe përfaqësuesve të nivelit qendror lidhur me projektin që do ta pajiste kryeqendrën kosovare me autobusë të rinj. Reformat në trafikun urban ishte edhe një prej premtimeve kryesore të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Në qershor 2015, BERZH kishte nënshkruar një marrëveshje të huas për ndërmarrjen publike të transportit Trafiku Urban në vlerë deri në 10 milion Euro për të mundësuar blerjen e 51 autobusëve dizel që i plotësojnë standardet e emetimit Euro 6. Huaja ishte garantuar plotësisht nga qeveria, e përfaqësuar nga Ministria e Financave.
Por, para se Qeveria të garantonte për këtë hua, jo pak përplasje dhe debate kishin ndodhur midis Komunës së Prishtinës dhe Qeverisë së Kosovës.
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu kishte akuzuar ministrin e Financave, Avdullah Hoti, duke thënë se po bllokon çështjen e garancionit për autobusët në kryeqytet. “Mosdërgimi për aprovim i vendimit për marrjen e kredisë për blerjen e 51 autobusëve nga BERZH-i në Kuvendin e Kosovës do të sjellë protesta nga ana e qytetarëve”, kishin paralajmëruar autoritetet komunale.
Nuk ishte i vogël as presioni publik dhe kërkesat e qytetarëve që më në fund të bindej që ta hidhte nënshkrimin ministri i Finanacave Abdullah Hoti, që në të kaluarën ishte nënkryetar i Komunës së Prishtinës në kohën e Isa Mustafës.
Por, sic duket kjo zënkë ndërinstitucionale do të mbetet vetëm pjesë e të së kaluarës ngaqë ajo ka prodhuar edhe rezultate konkrete. Qeveria e Kosovës e cila në të kaluarën kishte shkaktuar vonesa për nënshkrimin e garancionit, tash ka ndërruar qasjen dhe ka paralajmëruar se do të mbështesë projekte të tilla edhe në qendrat e tjera të Kosovës, Prizren, Pejë, Gjilan, Ferizaj, Gjakovë dhe Mitrovicë. Me gjasë, projekteve dhe këmbënguljes së Shpend Ahmetit do tua shohin hajrin edhe qendrat e tjera të Kosovës./Sakte.net