Kryesia e Kuvendit ka vendosur që më 22 gusht të mbahet seanca për shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës.
Të gjitha grupet parlamentare u pajtuan që seanca të mbahet më 22 gusht, në mënyrë që deptuetët të kenë kohë të kthehen nga pushimet dhe të jenë të gjithë prezent.
Kjo datë nuk i pëlqeu Lëvizjes Vetëvendosje, dhe e quajtën shumë të largët. Deputetja, Albulena Haxhiu tha se deri më 22 gusht subjektet e tjera politike mund të futen në pazare për qeveri teknike ose mandatar të ri pa zgjedhje, shkruan lajmi.net.
Njohësi i çështjeve juridike, Riza Smaka ka treguar për lajmi.net se kur vendi mund të shkojë në zgjedhje.
“Kuvendi kur shpërndahet shpallen zgjedhjet e përgjithshme dhe në konform me ligjin për zgjedhjet fillon fushata, ndërsa ekzekutivi mbetet me ushtru funksionin deri në konstituimin e qeverisë të zgjedhjeve të reja. 45 ditë është afati maksimal që presidenti me i shpallë zgjedhjet”, ka thënë Smaka.
Mirëpo, edhe Smaka 22 gushtin e ka quajtur datë të vonuar.
Sipas tij, kjo po bëhet që deputetëve të ju zgjatet mandati në mënyrë që t’i bëjnë dy vite punë, dhe të iu mundësohet të marrin pagë edhe disa vite tjera.
“Funksionarët kryesor pushtetarë janë të korruptuar, dhe këtë po e bëjnë që t’u mundësohet deputetëve që t’i kenë së paku dy vite mandat, e më pas një deri në dy vite tjera, të marrin paga gratis, sikur të ju binin nga qielli, e këto janë para të popullit”, ka theksuar Smaka.
Tutje, ai i ka kritikuar ata deputetë që e kanë votuar demarkacionin me Malin e Zi, pa ndonjë arsye sipas tij, pasi që të gjitha dokumentet faktike kanë qenë në favorin tonë.
“Këta deputetë të korruptuar nuk ish dashtë që qytetarët tonë të jua japin asnjë votë, por duke pas parasysh edhe të kaluarën, ka gjasa që të tillët prapë të marrin votën”, ka thënë ai.
Pas shpërbërjes së Kuvendit, i takon presidentit, Hashim Thaçi të caktojë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.