Kryeministri Edi Rama ka bërë një paralelizëm mes sasisë së kokainës të kapur në Durrës dhe asaj të kapur në vendet e Bashkimit Europian.
Rama tha se kokainë është kapur edhe në Francë, Britani, Gjermani, Itali, Spanjë, por askund nuk del opozita dhe të akuzojë Kryeministrat apo kancelarët e këtyre vendeve apo familjarë të tyre.
Rama është pyetur për akuzat në lidhje me 613 kg kokainë të artikuluara nga opozita, për garancinë që i është dhënë për sjelljen e drogës nga Kolumbia në Shqipëri.
“Akuza të tilla mund t’i bëjnë vetëm njerëzit pa atdhe, po në Shqipëri e bëjnë priftin me barrë.
Se çfarë peshku është ky pronari i kompanisë së bananeve, është peshk apo bretkosë, do e përcaktojë hetimi?
Po të ishte kaq kollaj kapja e personave të përfshirë në trafikun e drogës, atëherë s’do të kishte luftë me drogën dhe trafikantët. Kjo është një luftë që zhvillohet përditë, përditë, përditë”, tha Rama.
Sipas tij, ne do e luftojmë krimin, drogën dhe do vendosim drejtësinë në këtë vend, pavarësisht streseve që i krijohen familjarëve tanë.
“Do i shkoj deri në fund kësaj pune, se unë e dua Shqipërinë. Unë nuk i ndahem këtyre derisa njerëzit të më duan. Çfarë s’kanë thënë për mua, nga pederast, drogaxhi, overdozë”, tha Rama.