Mijëra protestues kanë dalë në rrugët e Madridit dhe rreth 50 qyteteve të tjera spanjolle për të protestuar kundër rrëzimit të të ashtuquajturit ligji “Maricarmen”, që përfshinte dy dekrete emergjente për krizën e strehimit, të propozuara nga qeveria e Pedro Sanchez dhe të refuzuara nga shumica në Kongresin e Deputetëve.
Në Valencia u shënuan momente tensioni të lartë pranë kompleksit të njohur si Qyteti i Arteve dhe Shkencave (Palau de les Arts) pas mbërritjes së marshimit kundër spekulimeve në tregun e pasurive të paluajtshme.
Kur protesta arriti pranë godinës, mes zhurmës së goditjeve të çelësave, tenxhereve dhe kapakëve, një grup protestuesish theu kordonin e sigurisë dhe hyri në ambientet ku po zhvillohej një forum i sektorit imobiliar.
Ndërhyrja çoi në përplasje të forta mes protestuesve dhe forcave të rendit. Njësitë speciale të Policisë Kombëtare reaguan me gaz lotsjellës dhe plumba gome për të shpërndarë turmën. Protesta përfundoi me pesë persona të arrestuar dhe nëntë policë të plagosur.
Marshimi më i madh u zhvillua në Madrid. Sindikata e Qiramarrësve deklaroi se në protestë morën pjesë rreth 500 mijë persona, ndërsa Delegacioni i Qeverisë e vlerësoi pjesëmarrjen në rreth 70 mijë protestues. “Nuk ka kthim pas”, deklaroi zëdhënësja e protestës, Valeria Racu, duke shtuar se objektivi i lëvizjes është organizimi i një greve të përgjithshme.
Ndërkohë, protesta e planifikuar në Barcelonë u shty për shkak të parashikimeve për reshje intensive shiu, të cilat gjatë pasdites shkaktuan bllokime të qarkullimit në shumë zona të qytetit, shkruan corriere.
The post Shpërthen revolta popullore në Spanjë për krizën e strehimit! Paralajmërohet grevë të përgjithshme appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



