Shpëtim Idrizi: Nëse dikush pret që shqiptarët e Çamërisë të lodhen në betejën e tyre, unë po ju them që ne do të lodhemi të fundit

Shpëtim Idrizi: Nëse dikush pret që shqiptarët e Çamërisë të lodhen në betejën e tyre, unë po ju them që ne do të lodhemi të fundit.

Kim Mehmeti: Kur shqiptaria të harrojë Çamërinë, ajo ka harruar vetveten.

“Java Çame”, me rastin e 77-vjetorit të gjenocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë, është kujtuar edhe në Shkup në një sërë aktivitetesh. Qindra shqiptarë nga të gjitha qytetet e Maqedonisë së Veriut u mblodhën në Shkup në marshimin për Çamërinë, i cili filloi nga Kalaja e Shkupit e vazhdoi deri tek ambasada greke.
Të rinjtë shqiptarë ju drejtuan ambasadës greke me një letër ku theksohej se spastrimi etnik i Çamërisë nga elementi shqiptar ka pasur prapavijë politike të pambështetur në asnjë fakt për akuzën se shqiptarët kanë qenë bashkëpunëtorë të nazistëve.

“Prandaj ne jemi sot këtu që t’i kërkojmë Greqisë që shqiptarët nga Çamëria të rikthehen për të vizituar shtëpitë dhe varret e të parëve. Ashtu siç ua lejoi maqedonasve egjeas të Greqisë, që janë përzënë gjatë luftës civile 1947-1949 për t’i vizituar shtëpitë dhe varret e të parëve, Greqia njësoj duhet t’i lejojë edhe çamët për ta bërë këtë”.

Më herët në Shkup u organizua edhe një panel diskutimi mbi çështjen çame, ku kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi tha se çështja çame është çështje drejtësie dhe respektimi i të drejtave të njeriut. Ai theksoi gjithashtu se ende Greqia nuk e ka hequr Ligjin e Luftës me Shqipërinë duke kujtuar që për çështjen çame, shqiptarët e Çamërisë do të lodhen të fundit.

“Nëse dikush pret që shqiptarët e Çamërisë të lodhen në betejën e tyre unë po ju them që ne do të lodhemi të fundit. Sot jam i bindur edhe me praninë tuaj dhe faktin që një ditë e javës çame në Shkup i kushtohet Çamërisë na shton akoma më shumë besimin që ne nuk jemi të vetëm edhe nga pikëpamja njerëzore si shqiptarë, kudo ku frymohet shqip”, u shpreh Idrizi.

Ndërsa publicisti Kim Mehmeti theksoi faktin se:

“Dielli i Shqiptarisë vërtet lind në perëndim por kjo nuk do të thotë që ne të mos kemi dinjitetin, të cilin duhet ta mbrojmë vetë. Nëse ne nuk ndërtojmë një gjeneratë, një rini që ka disponimin të dëgjojë për një çështje që ka të bëjë më një plagë, sepse unë e them shpesh atë kur shqiptaria do të harrojë çamërinë, ajo e ka harruar vetveten”, tha ai.

Ndërsa historiani Arben Llalla nëpërmjet fakteve historike theksoi se popullsia shqiptare e Çamërisë u masakrua për shkak se nuk ju nënshtrua asimilimit pas ndarjes së kufijve dhe se nuk gjendet asnjë dokument zyrtar apo dëshmi që shqiptarët e Çamërisë të kenë qenë bashkëpunëtorë.
“Java Çame” në Shkup u prezantua gjithashtu edhe me një ekspozitë për Çamërinë me figura historike dhe vendbanime tek platoja përballë Kalasë së Shkupit. Gjithashtu të rinjtë prezantuan edhe folklorin e pasur të krahinës së çamërisë du kërcyer disa prej valleve të famshme të kësaj treve.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme