Kanë shpëtuar me lëndime të lehta pesë persona, të cilët gjendeshin në veturën që doli nga rruga kryesore e Rugovës dhe ra në Lumbardh.
Aksidenti ka ndodhur në mesnatën e kaluar afër urës në afërsi të fshatit Shtupeq i Vogël.
Këtë aksident e ka konfirmuar për Kohën Ditore zyrtari për informim i Policisë për Rajonin e Pejës, Driton Rugova.
“Në rrugën Pejë-Rugovë, në fshatin Shtupeq i Vogël, të premten rreth orës 00:30, ka ndodhur një vetaksident trafiku. Si pasojë e aksidentit, lëndime të lehta trupore kanë pësuar pesë persona që ndodheshin në veturë. Shkak i aksidentit ka qenë mospërshtatja e shpejtësisë dhe moskujdesi i drejtuesit, i cili me të arritur në fshatin Shtupeq në drejtim të Pejës, humbur kontrollin e veturës dhe ka rënë në Lumbardh”, ka thënë Rugova.
Personat e lënduar janë dërguar në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës ku janë trajtuar dhe kanë kaluar natën.
Pas tretmanit mjekësor, siç tregon zëdhënësi i këtij spitali për Kohën Ditore, Naim Sahiti, të premten ata janë liruar nga spitali.
“Këta pacientë nuk janë duke u trajtuar më në spital. Janë liruar të gjithë sot. Ata kanë pas lëndime, por asnjëri nuk ka pas lëndime serioze”, tha Sahiti.