Në Shqipëri kryeministri Edi Rama prezantoi sot gjatë asamblesë së Partisë socialiste, emrat e 33 zëvendësministrave që do të mbështesin anëtarët e kabinetit të tij. Nga 11 ministri që përbëjnë qeverinë e re, 6 prej tyre do të kenë 4 zëvendësministra, të tjerat nga 3 dhe 2, ndërsa ministria e Mbrojtjes dhe e Kulturës janë të vetmet me një zëvendësministër.
Zoti Rama tha se në ndryshim nga më parë zëvendësministrat do të kenë një rol të ndjeshëm. “Reduktimi i numrit të ministrive, rritja e barrës politikbërëse dhe ulja e barrës administrative, heqja e shumë procedurave e liçencave, dhe domosdoshmëria për të rritur kapacitetin politikbërës e programues kërkojnë një lidership ndryshe – shpjegoi kryeministri – dhe kalojmë nga tradita ku ministritë janë drejtuar nga ministri me një grup njerëzish, në një drejtim ku të ketë lidership të fortë nga ministrant, po ku të ketë ekipe zëvendësministrash që të mbulojnë sektorë brenda për brenda ministrive dhe të garantojnë koordinimin e duhur të punës në cdo sektor”.
Përpara se të bënte prezantimin e tyre zoti Rama, përmendi objektivat e 100 ditëve të para të mandatit të dytë të qeverisë por që siç theksoi ai do të jenë dhe substanca dhe për 300 ditët e para. “Në këtë fazë të parë të mandatit tonë na duhet pastrim në të gjitha nivelet, pastrim fizik, në rrugë në institucione, në zyrat e shërbimeve, pastrim në të gjitha nivelet e administratës nga keqbërësit dhe fillimi i një lufte të hapur ndaj korrupsionit të trashëguar apo si kërcënim në vazhdim dhe pastrim strukturor përmes rindërtimit të të gjithë strukturës dhe mekanizmave të pushtetit ekzekutiv”.
Kryeministri theksoi gjithashtu se në këto 100 ditë “duhet të përcaktojmë dhe kalibrojmë si duhet shënjestrën lidhur me celjen e negociatave për anëtarësim” apo dhe përcaktimin e kuadrit ligjor për vlerësimin dhe verifikimin e figurës së punonjësve të policisë , një proces i paralajmëruar nga ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj. “Të përcaktojmë kornizën e vettingut në Policinë e Shtetit për të hyrë deri në qelizë me një terapi agresive ndaj kancerit të inkriminimit të policisë në vite e vite të tëra – tha kryeministri – dhe të lançojmë operacionin kombëtar kundër rrjeteve kriminale si një fazë të dytë të operacionit për çrrënjosjen e kanabisit nga toka jonë dhe heqjen përfundimisht të Shqipërisë nga harta e kultivimit të lëndëvë narkotike”.
Në fjalën e tij zoti Rama vuri sërish theksin te reformimi i administratës dhe reduktimi i barrierave burokratike. “Të vazhdojmë përpjekjet për të çliruar cdo ditë qytetarët nga barra e burokracisë e procedurave dhe e sorrollatjeve”, u shpreh ai duke paralajmëruar gjithashtu se dhe “shërbimet konsullore do të pësojnë një transformim të rëndësishëm në këtë aspekt me 40 përqind më pak barrë dokumentash”.