Shqipëria e vendosur në rrugën drejt reformave

Në pritje të progres raportit të Komisionit Evropian mbi Shqipërinë, Federica Mogherini, zëvendës presidente e Komisionit Evropian la të kuptohej se Komisioni Evropian do të japë brenda muajve të ardhshëm rekomandimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit, shkruan brusselsexpress, përcjellin medie në Tiranë.

Ajo po fliste në një mbledhje që zhvillohej në një sallë të mbushur plot në Parlamentin Evropian të thirrur nga zëvendës presidenti i Parlamentit, David Maria Sassoli për të mirëpritur Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe Ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, të cilët po vizitojnë Brukselin për të mbështetur fushatën shqiptare për në BE me qëllim që të merret një vendim pozitiv në mbledhjen e Këshillit në qershor për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Presidenti i Parlamentit Europian Antonio Tajani e mirëpriti iniciativën shqiptare duke folur ngrohtësisht për lidhjet e rëndësishme rajonale dhe ekonomike mes Italisë dhe Shqipërisë. Ai e bëri të qartë se kjo çështje duhet të kapërcejë mosmarrëveshjet e grupeve politike në shtëpi, se Parlamenti kishte një vizion të qartë në përkrahje të zgjerimit të BE-së me vende nga Ballkani Perëndimor dhe iu drejtua Komisionit Evropian për të bërë një rekomandim të qartë mbi rrugën për të ecur përpara.

Kryeministri Edi Rama theksoi përpjekjet e bëra dhe vështirësitë që ishin kapërcyer për të arritur në këtë fazë vendimtare të rrugës së Shqipërisë drejt vizionit të saj euroatlantik.

Në veçanti, Shqipëria ka ndërmarrë hapa për një rishikim të plotë në sistemin e drejtësisë dhe aktualisht po përjeton një transformim të madh të të gjithë sistemit të vetingut dhe emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ky proces ka qene nën kontrollin e monitorimit ndërkombëtar, sepse Shqipëria ka dashur praninë e ndërkombëtareve në mënyrë që reformat të ishin të vërteta dhe efektive.

Megjithëse, Mali i Zi dhe Serbia tashmë ishin më të avancuara në negociatat e tyre me BE-në, reforma në drejtësi ishte një nga fushat ku Shqipëria ishte krenare që kishte arritur të ishte pionerja në rajon , duke sjellë një lidership rajonal që ai shpresonte se do të nxiste ndryshime të ngjashme në vendet e tjera të rajonit, raporton Atsh.

Ai tha se Shqipëria tani po hyn në një fazë të re të ndërtimit të shtetit dhe përmirësimit të demokracisë në jetën e përditshme të çdo qytetari të zakonshëm.

Rama u bëri thirrje parlamentarëve të mbështesin hapjen e bisedimeve të pranimit në BE për të ndihmuar Shqipërinë që të ndërtojë një të ardhme më të mirë për popullin.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme