Sot në Bruksel u zhvillua Konferenca e pestë ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian, ku u hap zyrtarisht Grup-Kapitulli i tretë në kuadër të negociatave për anëtarësim.
Lajmin e bëri të ditur ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, përmes një postimi në rrjetet sociale. Ai theksoi se hapja e këtij grup-kapitulli është një dëshmi e qartë e përparimit që ka bërë Shqipëria në një kohë të shkurtër.
“Me hapjen e Grup-Kapitullit të tretë dëshmohet se sa shumë ka arritur Shqipëria brenda një kohe të shkurtër”, shkruan Hasani.
Grup-Kapitulli i tretë përfshin fushat “Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithpërfshirëse”, që përfshijnë politika kyçe për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e qëndrueshme.
Në Konferencën Ndërqeveritare, Shqipëria u përfaqësua nga ministri Igli Hasani dhe ministrja për Shtetin dhe Sipërmarrjen, Adea Pirdeni.
Postimi i ministrit Hasani:
Shqipëria qëndron përkrah BE-së dhe BE-ja qëndron përkrah Shqipërisë.
Një gurthemel i ri i hedhur me hapjen zyrtare të Grup-Kapitullit 3 – Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse – gjatë Konferencës së 5-të Ndërqeveritare të mbajtur në Bruksel.
Hapja e 8 kapitujve të rinj sot reflekton progresin e bazuar në meritë të Shqipërisë dhe është një tregues i qartë se sa shumë kemi arritur brenda një kohe shumë të shkurtër. Rrugëtimi ynë drejt BE-së nuk ka qenë ndonjëherë kaq i qartë apo më i vendosur.