E hënë, 24 Tetor 2016 – Sakte.net
Shqipëria ka kaluar për herë të parë këtë vit në shtetin që ka nivelin e kredive më të larta me probleme (NPL) në rajon, duke ia kaluar edhe Serbisë, që “kryesonte” në këtë tregues, teksa strategjitë për reduktimin e NPL-ve duket se po funksionojnë në rajon, por jo në vendin tonë.
Sipas të dhënave më të fundit të Bankës së Shqipërisë, në gusht, huatë e pakthyera në afat u ngjitën në 21.4% të totalit, pas një rënieje në rreth 18% në fund të vitit të kaluar si rrjedhojë e fshirjes në atë kohë të huave të humbura nga bilanci i bankave. Disa falimentime të mëdha, që kanë pasur efekt zinxhir dhe kriza e sektorit të naftës rezultojnë arsyet kryesore të këtij përkeqësimi në pjesën e parë të këtij viti, raporton Monitor.
Pas nesh ka kaluar Serbia, niveli I NPL-ve të së cilës ka zbritur në 20.2% në qershor, sipas tabelave të fundit të publikuara në raportin e tremujorit të tretë të Komisionit Europian për vendet kandidate dhe potencial kandidate. “Zgjerimi i kreditimit dhe zbatimi i një strategji për zgjidhjen e kredive me probleme kanë reduktuar normën e NPL-ve me 1.4 pikë përqindje që nga fillimi I vitit”, thuhet në raport. Vitet e fundit Serbia ka qenë shteti me treguesin më të përkeqësuar të NPL-ve, ku 2015-a u mbyll me një nivel prej 21.6%, më e larta në rajon.
Mali I Zi, një tjetër shtet problematik me kthimin e kredive, i ka ulur huatë me probleme në 11.7% në fund të tremujorit të dytë, nga më shumë se 22% në vitin 2010, përmes një strategjie për reduktimin e NPL-ve, të ashtuquajtur “Plani Podgorica”, ku ristrukturimi i kompanive ka qenë në thelb të planit, duke u preferuar dukshëm ndaj falimentimit të tyre, i shoqëruar me një monitorim të rreptë të bankave.
Shtetet e tjera të rajonit, Maqedonia, Bosnja e Kosova nuk kanë qenë problematike përsa i përket kthimit të huave me probleme, në raport me vendet e sipërpërmendura dhe duket se vijojnë ta mbajnë nën kontroll këtë tregues. Në Maqedoni, psh, niveli I NPL-ve u ul në 7.2% në fund të tremujorit të dytë, nga 10.3% në fund të 2015-n dhe 11.9% që kulmoi në 2013-n.
Edhe Bosnja i ka ulur nga 15.2 në 2014-n, në 12.1% në fund të qershorit 2016.
NPL-të më të ulëta janë në Kosovë, në vetëm 5.3% e huave të dhëna, që nuk janë kthyer në afat në banka.