Nga Kim Mehmeti
Shqipëria e sotme e jeton zhurmën që e bëjnë përkrahësit e këtij apo atij prijëse partiak. Zhurmë që asaj ia pamundëson ta sqarojë e të shtrojë pyetjen si ndodhi që edhe pas tri dekadave ecjeje drejt demokracisë ‘së ndritur’, të mos arrijë me larg se të ketë një pushtet të vëllazëruar me krimin dhe një opozitë të dezorientuar.
Pra që të shtrojë pyetjen më të rëndësishme: si ndodhi që nga gjithë shtetet postsocialiste, vetëm Shqipëria të mbetet në duart e deputetëve, liderëve partiakë, burrështetasve, ‘opinionistëve’, elitave …, të para tri dekadave, të vitit kur u rrëzua shtatorja e Enverit?
Po pra, pyetejn se si ndodhi që në vendet tjera postsocialiste tani më të jenë harruar emrat e burrështetasve të parë postkomunistë, e Shqipëria ende të jetë në duart e atyre që tre dekada me radhë atë e trajtonin si të ishte lopë, të cilën duhet ta ushqejë i tërë populli, por që mund ta mjelin vetëm sunduesit e saj.
Dhe duke mos i shtruar pyetjet e duhur në kohën e duhur, duke mos pasur guxim të përballet me të shkuarën e vet enveriste, Shqipëria u bë vend ku pakësohet numri i atyre që kanë për qëllim të qartësojnë dhe ku rritet numri i atyre që mjegullojnë, i atyre që, për shembull, bëjnë çmos që ta mbulojnë të vërtetën se ndaj shtetit, Piktori sillet së të ishte atelie që e ka trashëguar nga babai i tij.
Po pra, sikur disa ‘mendjendritur’ që i dominojnë mediat, të mos e kishin kokën nëpër grazhdet partiake, do i shtronin pyetjet e duhura dhe do mund të shihnin e të pranonin se problemi i Shqipërisë është më i thellë se kush do i drejtojë partitë. Do shihnin pra se halli i Shqipërisë është se ajo nuk ka parti por ‘sekte politike” dhe se është peng i mendësisë enveriste, mendësi që thotë se jo shteti, por prijësi dhe partia janë të përjetshme dhe se, tempujt ku duhet të flijohet më e vlefshmja që ka një popull, janë selitë partiake.
Dhe duke qenë Shqipërie peng i kësaj mendësie, ajo edhe mbetet shoqëri e pakompletuar, jo e ‘plotë‘, të cilës nuk i mungojnë politikanë, por guxim qytetarë dhe sektor civil, e të cilin sektor kryesisht e shkatërroi Piktori. Ashtu siç i shkatërroi edhe mediat, të cilave u shpërndan videoregjistrime të gatshme, që duhet të transmetohen në lajmet qendrore.
Dhe tani, që të mos del se me terme të përgjithshëm, artikullshkruesi i ikë pyetjes rreth ndodhive të fundit në PD, ja një shpjegimi të mundshëm për këto ngjarje: siç duket, drejtuesit e kësaj partie nuk e kanë kuptuar se një ditë e vetme është e paktë për t’u shkëputur nga e shkuara dhe se, e shkuara të cilën nuk dinë ta mirëmbash, ta harxhon të ardhmen.
Andaj Kryetari historik i PD-së ka të drejtë morale e njerëzore të bëjë çmos që ta mbrojë të shkuarën e vet dhe të partisë që drejtoi, por pa e marr peng të ardhmen e saj. Pra të veprojë me vetëdijen se ai është e shkuara, e jo e nesërmja e kësaj partie.
Ndërkohë Kryetarit aktual të PD-së dikush duhet t’i tregojë se gjërat që nuk i bënë atëherë kur duhet dhe ashtu siç duhet, më mirë mos i bë as atëherë kur atë ta kërkojnë të tjerët, sepse përfundojnë ashtu siç nuk do doje dhe siç nuk duhet. /sakte.net (Kim Mehmeti)