13 % e territorit të Shqipërisë rezulton i braktisur gjatë periudhës 2011–2023.
Kjo është tabloja që paraqet një hartë e publikuar në kuadër të propozimeve për reformën territoriale, e ndërtuar mbi të dhënat e INSTAT. Sipas analizës, sipërfaqja e klasifikuar si e braktisur arrin në rreth 1 mijë e 519 kilometra katrorë, duke dëshmuar për një zhvendosje të vazhdueshme të popullsisë nga zonat rurale drejt qyteteve.
Harta tregon se fenomeni i braktisjes është i pranishëm pothuajse në të gjithë vendin, por ai është shumë më i theksuar në zonat malore, të thella dhe me dendësi të ulët popullsie. Përqendrimi më i madh i territoreve të braktisura evidentohet në veri dhe verilindje, në bashki si Tropoja, Kukësi, Dibra, Mati, Mirdita, Fushë-Arrëzi, Puka dhe Malësia e Madhe. Në këto zona, largimi i banorëve nga fshatrat dhe vendbanimet periferike është më i dukshëm.
Fenomeni shtrihet edhe në pjesë të Librazhdit, Elbasanit, Gramshit, Përrenjasit e Skraparit, si dhe në disa zona të Beratit dhe Korçës. Edhe jugu nuk mbetet jashtë kësaj harte, me sipërfaqe të konsiderueshme të braktisura në Përmet, Tepelenë, Kolonjë, Memaliaj dhe Gjirokastër.
Ndërkaq, korridori perëndimor dhe qendrat më të mëdha urbane si Tirana, Durrësi dhe Fieri paraqiten më pak të prekura. Këto zona vazhdojnë të tërheqin popullsinë falë më shumë investimeve, vendeve të punës dhe shërbimeve.
Sipas analizës, braktisja e rreth 13 % të territorit lidhet me mungesën e mundësive ekonomike, infrastrukturën e dobët, aksesin e kufizuar në shërbime publike, si dhe emigracionin e lartë, veçanërisht të të rinjve.
Si pasojë, shumë fshatra po zbrazen, popullsia po plaket dhe pabarazitë mes Shqipërisë urbane dhe asaj rurale po bëhen gjithnjë e më të thella.
The post Shqipëria po zbrazet. 13% e territorit të vendit rezulton i braktisur në vitet 2011-2023, kryesojnë zonat malore appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



