Me rastin e 105-vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë organizoi sot në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë aktivitetin “Dita e Hapur” në Forcat e Armatosura.
I pranishëm në këtë aktivitet, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, theksoi se Shqipëria tashmë nga një vend konsumues është shndërruar në një vend kontribuues për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë.
“Kjo është një datë historike dhe lavdie për Forcat e Armatosura, ashtu sikurse është një gurë i fortë themeli në historinë tonë të shtetformimit. Forcat e Armatosura treguan gjatë situatës së përmbytjeve në vend se roli tyre në shërbim të qytetarëve, duke garantuar jetën e tyre është jo vetëm i pazëvendësueshëm, por kërkon respekt, konsideratë, mirënjohje dhe kujdes në rritje. Një mirënjohje të veçantë ju përcjell ushtarakëve tanë që aktualisht kontribuojnë krah për krah vendeve aleate në misionet ndërkombëtare në Afganistan, Detin Egje, Letoni, Mali, Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë e kudo në botë”, deklaroi Meta.
Ndërsa ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, u shpreh se Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë të angazhuara fuqimisht për shtrirjen e tyre lokale, rajonale dhe globale në mbështetje të sigurisë dhe paqes. “Jemi krenarë t’ju gjendemi krah për krah në angazhimet tuaja të kudo-ndodhura, në Afganistan, Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Mali, Mesdhe apo Egje. Sepse jemi pjesë e Aleancës ushtarake më të fortë në botë, e bazuar në principet më të mira njerëzore: liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe shtet ligjor. Sot që flasim, Forcat tona të Armatosura vazhdojnë ditë-natë t’u gjenden pranë mijëra familjeve shqiptare që përjetojnë përmbytjet e këtyre ditëve dhe pasojat e tyre, kudo që kjo u kërkohet, në fshat dhe në qytet”, tha ministrja Xhaçka.
Një numër i madh vizitorësh morën pjesë në këtë aktivitet, ku panë nga afër mjetet, pajisjet dhe armatimin që kanë në përdorim Forcat e Armatosura të Shqipërisë, duke filluar që nga helikopterët, mjetet e blinduara dhe armët.
Ndërkohë, 4 dhjetori 1912 njihet si data e krijimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.