Shqipëria si Dubai, strehë e figurave kriminale!

Gazetare: Ajnur Bafqari

Ndërsa SHBA dhe BE ashpërsojnë masat kundër figurave politike të përfshira në korrupsion dhe abuzime me pushtetin, shtetet fqinje, e veçanërisht Shqipëria, duket se po zgjasin mikpritjen, jo për azilkërkues, por për ish zyrtarë të nivelit të lartë që gjejnë strehim në këto troje, larg përgjegjësive.

Profesori Visar Ademi, në intervistë për Alsat tha se gjatë takimit me presidentin shqiptar, i ka kërkuar atij një mekanizëm për shpalljen e personave “non-grata” për të gjithë pushtetarët shqiptarë që shkelin ligjet në vendin e tyre amë.

“Unë kam kërkuar nga zoti Begaj që të ketë persona non-grata nga shteti shqiptar për të gjithë ato pushtetarë shqiptarë të cilët i kanë shkelur këto parime…

A keni dhënë emra?

Jo nuk ka pasur emra, por si mekanizëm e kisha fjalën domethënë, që duhet të ketë vijë të kuqe, duhet të ketë për një parti, jemi bërë për mëkat të madh të na shpëtojë Albin Kurti, të na shpëtoj Bajram Begaj…”, deklaroi Visar Ademi, profesor.

Që Shqipëria është shndërruar në një parajsë të re për fshehjen e njerëzve me vepra kriminale apo të pasurive të shumë zyrtarëve politikë të kampusit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut apo edhe nga Kosova, dëshmojnë edhe zërat se edhe i arratisuri, ish zëvendëskryeministri Artan Grubi, jeton dhe vepron atje, pavarësisht faktit se paraprakisht ai u listua në listën e zezë amerikane për marrje ryshfeti për ndikim në gjyqësor. Qytetarët thonë se Shqipëria po shndërrohet në një “Dubai ballkanik ” ku paraja dhe lidhjet e fuqishme kanë më shumë peshë sesa drejtësia.

“Vetë fjala listë e zezë kuptohet se çfarë do të thotë…I përngjan Dubait, edhe këtu në Shqipëri trajtohen njësoj… ”, deklaroi një qytetar.

“Absolutisht kjo ka qenë e planifikuar akoma duke qenë Grubi këtu, tash kanë bërë vend partia prej këtu. Absolutisht nuk është në rregull, nuk është në rregull se ato gjë vijnë prej fqinjit… ”, tha një tjetër qytetar.

“Nuk është në rregull që një shtet t’i mbrojë ata persona që kanë ikur prej këtu…”, theksoi një qytetar.

“Normal që duhet të vendoset, të bësh probleme dhe të jetosh diku, nuk është në rregull. Duhet të sillen ligje”, theksoi një qytetar.

“Aspak nuk është në rregull, të bësh krime dhe të shkosh diku… nuk është në rregull, ai që i bën krimet duhet t’i paguajë krimet…”, nënvizoi një qytetar.

“Normalisht ashtu është, por nuk është vetëm Shqipëria, edhe Gruevski kur iku e mori Hungaria, nuk është vetëm Shqipëria, normalisht nuk duhet të pranojnë, por si janë rregullat atje, nuk është vetëm Shqipëria”, u shpreh një qytetar.

Bashkë me Grubin, e panjohur është edhe vendndodhja e të dyshuarit tjetër në rastin “Lotaria”, ish drejtorit të Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami. Autoritetet thanë se të dyshuarit në këtë rast, me paratë e fituara ilegalisht kanë blerë prona brenda dhe jashtë shtetit, duke mos precizuar saktë nëse bëhet fjalë për Shqipërinë.

“Por, po, ka informacione se me mjete financiare jolegale janë blerë më shumë prona në më shumë lokacione, jo vetëm në Maqedoni.

Në më shumë shtete, apo një shtet?

Jo vetëm në Maqedoni”, deklaroi kohë më parë Pançe Toshkovski, Ministër i Brendshëm.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti pati pranuar se ish zv/kryeministri Artan Grubi nuk është në arrati, pasi është në trojet shqiptare.

“Zoti Grubi, sipas informatave që i kam, nuk e kam takuar, është mirë. Vendndodhja e tij akoma është, sigurisht që është diku në hapësirat shqiptare”, tha kohë më parë Ali Ahmeti, Kryetar I BDI-së. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme