Nga Kim Mehmet
‘Shqipëritë’ tona nuk janë të rrezikuara nga spektaklet që i ka e gjithë bota e ku ‘budallenjtë’, të paturpshmit e të pamoralshmit bëjnë garë mes vetes për ‘çmimin e madh’ dhe ku ata shpallen ‘modele’ suksesi të shqiptarisë, as pse aq shumë u shlyen tabutë sa së bashku me to u zhbë edhe turpi, por pse u bëmë shoqëri ku fati i të diturit, të ndershmit e të moralshmit është në duart e injorantit dhe hajdutit.
E keqja e ‘Shqipërive’ tona nuk ka të bëjë me ekranet ku garojnë mes veti gjinjtë e cullakosur me dhjetëra kilogram silikon në to dhe vithet e zhveshura ‘njëtonëshe’ të mbushura me dhjamë ‘maceje’, por me të vërtetën e dhembshme se jemi bërë shoqëri ku nuk ka thuajse asnjë vlerë truri i ‘bukur’.
Po pra, e keqja e ‘Shqipërive’ tona nuk buron nga ‘investitorët’ që e shpërblejnë shthurjen, paturpësinë dhe amoralin, por pse e prumë punën deri aty sa i riu shqiptarë të mos lumturohet kur dikush e shpërblen me ndonjë bursë për të studiuar në Perëndim, por kur ia mbulojë harxhimet për ta bërë trupin si të porsalindur nga kirurgu.
Dhe ‘Shqipëritë ‘ tona së pari herë nuk janë të rrezikuara nga asnjë armik i jashtëm apo i brendshëm, por nga sasia e madhe e lekëve të fituar pandershëm, nga hajdutët e pushtetshëm që u bënë ‘modele’ suksesi dhe si të tillë investojnë shumë për ta bindur rininë tonë se nuk të vlejnë gjë aftësitë personale e as dituria, por leku që të bënë të bukur e të mençur edhe kur je i budalla i shëmtuar.
Shkurt e shqip: ‘Shqipëritë’ tona i ka zënë dhe i ka mbuluar ‘harami’ i hajdutërisë dhe pandershmërisë, mbase shkaku se në to nuk ka mjaftueshëm ‘buldozerë’ të mençurisë, të ndershmërisë dhe të atdhetarisë, e që do mund ato t’i pastronin nga ky pleh që është duke e ‘kalbur’ më të vlefshmen që kishte dhe që ka shqiptaria – familjen!/sakte.net