Shqiptarë dhe kosovarë: Vëllezërit- armiq

Autor: Vladimir Karaj

Çfarë mund të lexohet nga debati i fundit mes analistëve shqiptarë në Tiranë e Prishtinë? A mund të sjellë komunikimi i çalë një ndarje mes shqiptarëve të vendosur tashmë në dy shtete dhe çfarë i mungon diskutimit mbi largimin e Milot Rashicës…
Dy vajza të vogla mes pesë dhe shtatë vjeç po ndërtojnë një kala rëre në bregdetin e Durrësit. Njëra është prej Mitrovice, e tjetra nga Tirana. Ata u bënë shoqe me një, “Si e ke emrin?”, të cilën e thonë në të njëjtën gjuhë edhe pse u mëshojnë germave të ndryshme. Kalaja po u del mirë. Ato nuk dekurajohen kur rëra e ndonjë ‘muri” rreshket dhe shembet. Mbushin kovat me ujë dhe si merren vesh ia fillojnë nga e para aty ku muri ra. Komunikimi i tyre është me gjasë shumë herë më i mirë se ai mes analistëve apo faqeve të shtypit në Shqipëri e Kosovë, të përfshira kryesisht prej paragjykimit krahinist dhe ndonjëherë vetëm prej nevojës për klikime.

Debati që nisi pas largimit të Milot Rashicës, një shqiptar i ri dhe i talentuar në futboll, prej kombëtares së Shqipërisë te ajo e Kosovës, duket se është zgjeruar të përfshijë se çfarë i bashkon dhe çfarë i ndan shqiptarët në Ballkan (dhe jo vetëm). E këtu palët duket se janë dakord vetëm për faktin që ekziston njëfarë mosnjohje. Sa e thellë është kjo mosnjohje?! A mos jemi thjeshtë duke debatuar cekët duke u marrë më shumë me individë se sa me një gjendje?! Vështirë të thuhet dhe vështirë të gjendet pa studime që mungojnë.

Shqiptarët e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe të diasporës sigurisht nuk i shpëtojnë dot asaj marrëdhënies së veçantë të vëllezërve, që përfshin xhelozinë dhe dashurinë, njëkohësisht të lidhur e njëkohësisht të ndarë.

Mosnjohja

Debati, tani për tani, është fokusuar te futbolli dhe është zgjeruar maksimalisht te muzika. “Zhurma lidhur me futbollistët kosovarë që do e braktisin kombëtaren e Shqipërisë, më së miri e pasqyron mosguximin tonë që të debatojmë për mungesën e lidhjeve institucionale ndër shqiptare, si dhe pasqyron të vërtetën se jemi bërë popull të cilin e lidh vetëm “tallava” muzika dhe futbolli!”, i tha Mapos Kim Mehmeti. Shkrimtari nga Shkupi edhe më herët ka qenë i ashpër me Tiranën dhe Prishtinën politike apo edhe me krahun politik të shqiptarëve në Maqedoni. Ai vë në dukje se janë këta në fakt problemi dhe mungesa e një projekti mbarëkombëtar për të cilin duhet të polemizohej.

Melazim Krasniqi po ashtu beson se debati është në cekëtinë ndërsa thotë për Mapo se ka një mungesë të analizave të thelluara. “Kjo gjendje e mjerë e debatit është pasojë e faktit që nuk janë bërë analiza, nuk janë bërë projeksione se si duhet të veprojmë në realitetet e reja kur jemi një komb me dy shtete”, tha ai për Mapo.

I nxitur prej shpërthimeve të krahinizmit në rrjete sociale ku debatuesit mburren e shahen me tifozllëk Krasniqi thotë se “debati (është) si një debat mes të dehurve në një mejhane provinciale ballkanike”. Por ndërsa mund të ketë nisur si i tillë diskutimi ka përfshirë prej ditësh emra të shtypit të shkruar në të dy krahët. Qasja sidoqoftë edhe në shtyp nuk ka ndryshuar shumë prej gjuhës së rrjeteve sociale.

Mediat online, që prej kohësh kanë thyer çdo nivel të profesionalizmit, i kanë shfrytëzuar këto sharje edhe deformuar për t’i përdorur si thithëse klikimesh. Një lajm për shembull se një gazetar i Shqipërisë “kishte sharë shqiptarët e Kosovës më keq se sa mediat në Serbi” ishte hit ca ditë më parë. Qesharake ndërkohë që shumica e faqeve, edhe pse bëhej fjalë për një koleg, nuk e përmendën faktin se gazetari edhe pse punon në Tiranë është prej Prizreni. Sigurisht që kjo nuk justifikon gjuhën e përdorur prej tij, por aq më pak mënyrën se si ajo u përdor për të thithur më shumë komente të ngjashme.

Nga ana tjetër përpjekjet për ta kanalizuar debatin drejt diskutimit të gjërave që na ndajnë apo na kanë ndarë përtej futbollit nuk duket se ja del mbanë përtej ritheksimit të paragjykimeve apo gjykimeve personale. Mungesa e informacionit deri për historinë e viteve të fundit të njëri-tjetrit është e dukshme. “Neve (në Tiranë dhe në Prishtinë) na mbyti mosnjohja e rrethanave historike në të cilat kemi jetuar prej se nga Ballkani u tërhoq Perandoria Osmane dhe refuzimi për të njohur njëri-tjetrin pa paragjykime”, shkruante Enver Robelli për dialogplus.ch, në një replikë me deputetin e PS Ben Blushi.

Ky i fundit në shkrimin e tij u përpoq t’i vinte shqiptarët e Shqipërisë në pozita vetëkritike e sedre, kur shkroi se në Kosovë talentet po shkëlqenin dhe se rrepi i Kosovës ishte dominues. Ai shkroi madje për një “pavarësi kulturore” të Kosovës nga Shqipëria. Por as Blushi dhe as Robelli (që i shohin zhvillimet prej këndeve të ndryshme) nuk u shpëtojnë “gabimeve” të mosnjohjes faktike ndërshqiptare. Për shembull të dy e përfshijnë Bebe (Bleta) Rexhën në listat e shqiptarëve prej diasporës së Kosovës. Këngëtarja e njohur e lindur në Nju Xhersi i ka prindërit prej Dibrës së Madhe.

Të ngjashëm

Nga ana tjetër nëse lexohen ftohtë qoftë shkrimet e Robellit apo ato të Blushit edhe pse prej premisave të ndryshme nuk është se ilustrojnë ndonjë ndasi të madhe përtej mosnjohjes. Pretendimi i Blushit, i lexuar ndryshe, se rrepi e hip hopi i Kosovës po mbizotëron muzikën në Shqipëri nuk tregon ndarjen apo ndonjë “pavarësi”. Kjo do ta kishte penguar diçka të tillë. E kundërta ndërkohë është duke ndodhur edhe pse shqiptarët nuk kanë ndonjë meritë në këtë miniglobalizim që vjen vetiu. Robelli nga ana tjetër është krejt i qartë kur fton t’i shohim si gëzime të përbashkëta suksesin e Ermonela Jahos dhe Dua Lipës. Madje më i qartë kur ashtu siç Blushi ka bërë më herët në kuvendin e Shqipërisë të vërë në dukje dështimin e Tiranës dhe Prishtinës për të qenë shtete funksionale. Dështim që në fakt na bashkon edhe në dramën e të pasurit numrin më të madh të atyre që arratisen drejt Perëndimit.

Këtu pastaj përfshihet një element i tretë. Diaspora shqiptare që është përgjegjëse për pjesën më të madhe të këtyre sukseseve në sport e muzikë. Mjaft në fakt dështojnë të përmendin se ajo për të cilën kërcejmë e këndojmë në ndeshje futbolli nuk është prodhim i fushave tona të sportit por i atyre të Zvicrës e gjetkë.

E megjithatë shqiptarët me gjasë kanë nevojë për ta bërë këtë debat. Qoftë për të pranuar se Kosova është shtet më vete. Fakti, botërisht i ditur për të cilin është festuar edhe në Tiranë, duket sikur ishte lënë në një cep. Kjo në fakt është e mjaftueshme për ta zhveshur nga drama kalimin e një futbollisti nga një kombëtare në tjetrën dhe ndoshta për të kaluar në një nivel të ri të njohjes. Fundit fare pasja e dy kombëtareve (nëse mund të quhen kështu) është përtej të gjithave një shans më shumë për futbollistët shqiptarë të shkëlqejnë. Mendoni vetëm që shqiptarët ishin kombësia më e përfaqësuar në Europianin e fundi, pasi numëronin edhe një grup lojtarësh te Zvicra.

“Kjo që po ndodh mes nesh është pasojë e shoqërive të mbyllura, që vlerësimin për njëra- tjetrën e bazojnë tek historia, simbolet, folklori dhe jo tek përditshmëria, dija dhe arsyeja. Prandaj dhe sherri bëhet më i zhurmshëm, sepse nuk është pasojë e arsyetimit por e zhgënjimit apo lëndimit fëminor: Si mundet dikush i Shqipërisë ta thotë këtë për ne? Si mundet një i Kosovës të flasë keq shkruan Armand Shkullaku.

Por as ai nuk duket se i shpëton hamendësimit kur flet për shembull për “largësi të madhe” apo kur rastin “Rashica” e interpreton me potencial për të hedhur në erë krejt marrëdhëniet ndërshqiptare. Qasja e tillë duket më shumë një hiperbolë e përftuar nga debatet emocionale që Shkullaku vetë i kritikon. Në anën tjetër ai me gjasë ka të drejtë kur fton për të shkruar mbi ato që na ndajnë edhe na bashkojnë. E ndoshta duhet filluar nga mediat që ndërsa janë të ngjashme në gjuhë dhe në mungesë cilësie, por me mungesë të theksuar të njohjes për dy vendet, duke ngritur kala rëre dhe lënë mënjanë ngrehinat politike që i bashkojnë shqiptarët në mjerim.

Kim Mehmeti: Kjo zhurmë është e turpshme

Zhurma lidhur me futbollistët kosovarë që do e braktisin kombëtaren e Shqipërisë, më së miri e pasqyron mosguximin tonë që të debatojmë për mungesën e lidhjeve institucionale ndërshqiptare, si dhe pasqyron të vërtetën se jemi bërë popull të cilin e lidh vetëm “tallava” muzika dhe futbolli! Dhe sigurisht që do grindemi rreth futbollistëve, se mos vallë kemi ndonjë projekt tjetër mbarëkombëtarë me të cilin mund të mburremi dhe, mos vallë kemi ndonjë strategji mbarëshqiptare për të ardhmen tonë!?

Pra ne do grindemi rreth futbollistëve tanë ngaqë prej moti jemi bërë si popull që nuk ka mëmëdhe! Është e turpshme dhe e padrejtë t’i quash tradhtarë ata që nuk janë ‘prodhim’ i shoqërive shqiptare, ata që më ndershëm se shumëkush nga ne, kanë paguar ‘taksën’ e shqiptarisë, edhe pse shqiptaria i ka lënë pa vendlindjen e të parëve të tyre dhe nuk u ka dhënë thuajse asgjë, përpos emrit! Dhe ne i quajmë ata të tillë ngaqë nuk guxojmë të merremi me ‘plehun’ politik që e prodhuam edhe ne ‘opinionbërësit’ e famshëm, edhe ne që ushqehemi nga po i njëjti grazhd ku majmen elitat politike që e copëtuan shqiptarinë në aq “principata”, sa ka edhe parti politike, pra edhe ne që e ndihmuam copëzimin e çdo gjëje shqiptare dhe që e ndihmuam bashkimin e trojeve shqiptare, por vetëm nëpërmjet nëntokës politike dhe krimit! Dhe tani do del puna se bashkimi i popullit tonë është në duart e futbollistëve, se futbollistët kosovarë janë ata që i kanë ndarë shqiptarët të jetojnë në pesë shtete të Ballkanit, se ata e kanë tradhtuar dhe përçarë tërësinë shqiptare, e jo ne që edhe patriotizmin e matim me thellësinë e xhepit tonë, jo pra ne që mbajmë ora të shtrenjta thuajse jemi futbollist, ne ‘mendimtarët e pavarur’, që nuk e mbajmë për kriminel hajnin e partisë që e vjedh popullin, për të na dhënë edhe neve, por vetëm hajdutin e partisë së ‘tyre’, që na plaçkit neve, për t’u dhënë të vetëve! Dhe do del kështu ngaqë në krenarinë që na e rikthyen çunat e Kombëtares tonë, neve na pasqyrohet edhe kontributi që dhamë për t’i mbajtur gjallë elitat politike të cilat “Shqipëritë” tona i bënë të pabanueshme për rininë shqiptare, përfshi edhe të rinjtë që duan të lozin futboll! Andaj do e përsërisë; kjo zhurmë është e turpshme dhe nëse e vëreni, më të zëshëm janë ata që deri në vitet e nëntëdhjeta, as që e dinin se ka shqiptarë edhe jashtë kufijve të Shqipërisë! Patriotizmin dhe atdhetarinë i kam kuptuar si garë me vetveten, e jo me cilindo shqiptar tjetër, por kësaj radhe nuk mund të mos e them se më villet kur dëgjoj se kush janë ata që futbollistët kosovarë, si dhe neve këtej kufirit, na quajnë tradhtarë dhe racë të poshtër: ata që as e kanë ditur dhe as do e kuptojnë ndonjëherë se si mbrohet shqiptaria në shtete ku, vetë të qenurit shqiptar, të bënë më të pambrojtur se sa ariun e maleve! Por kot e ke t’u thuash çka do qoftë atyre që debatojnë vetëm sa për ta mbuluar të vërtetën se, po të mos ishin futbollistët e Kombëtares, ata ende nuk do e dinin se shqiptaria shtrihet e mbrohet edhe përtej Qafës së Thanës dhe Morinës!

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme