Shqiptarët 103 vjet pas një vendimi të fuqive të mëdha të kohës

Autor: Jakup Krasniqi

Para 103 viteve qenia shqiptare ishte e rrezikuar nga aspiratat grabitqare të shteteve fqinje.

Sot, gjeneratat tona nuk debatojnë më lidhur me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër as nominimin e Princ Vidit si mbret i përkohshëm i Shqipërisë, e as me termat në ishte “barrë” apo “lehtësim” për Shqipërinë ato vendime, ndonëse në pushtet do të vendoseshin feudalët profiterë (Zogu – Toptani), në dëm të atdhetarëve të njohur demokratë si Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Isa Boletin, Fan Noli etj., duke pasur ndihmën e pranisë ndërkombëtare të kohës, të cilëve nuk u duheshin personalitetet me integritet, por njerëzit e “lepe-peqeve” apo shprehjes adekuate angleze “yes man”. Kështu diçka pata shkruar edhe para katër viteve, në librin tim: “Pavarësi dhe personalitete”.

Fuqitë e kohës demokracinë dhe integritetin ndërkombëtarët e ruajnë edhe sot për vendet e tyre, por jo në vendet ku “sugjerojnë” politika dhe i mësojnë amatorët politikë si të merren vendimet, të bëhen reforma e deri ku dhe kush duhet të vendoset në një post në Agjencinë e Privatizimit, në ndërmarrjet publike, në postin e Drejtorit të Policisë apo Guvernatorit të Bankës Qendrore, etj. Kjo mënyrë e qeverisjes është gjithçka, por jo qeverisje demokratike. Kush nuk po e sheh ketë sot?

Sikur të mos ndodhnin ndërhyrjet pas shpalljes së pavarësisë në Vlorë, të mos vinin në pushtet halldupët e pa ditur e xhahilët, në rrjedha të tjera do të ecte Shqipëria dhe shqiptarët. Standarde të tjera do të vendoseshin për drejtuesit e shtetit e të kombit.

Shkopi për zyrtarë të lartë të shtetit, nuk mund të besoj se do ishte kaq i ultë, sa është sot në Kosovë e Shqipëri?! Përkundër kësaj, për kohën tonë, e rëndësishme mbeti bërja dhe njohja ndërkombëtare që iu bë shtetit shqiptar – Shqipërisë, më 29 korrik 1913, nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, që u rikonfirmua në Konferencën e Paqes në Paris (1919), me ndihmën e Presidentit të SHBA-ve, Vilsonit dhe pastaj me anëtarësimin e saj në Lidhjen e Kombeve më 17 dhjetor 1920.

Mbijetesë e kësaj krijese, edhe ashtu siç ishte, në kohë të ndryshme, ishte një zë i mbrojtjes për shqiptarët e pushtuar nga shovinistët e Ballkanit. Sot, ne shqiptarët mjaftohemi që një pjesë e territoreve tona në rrethana mjaft dramatike, u konstituua e mbijetoi me shtetin shqiptar – Shqipërinë, edhe pse një shtet i përgjysmuar ky, në çdo front të jetës. Në një të ardhme, kështu si po flasim për Shqipërinë Londineze, gjeneratat që do të vijnë pas nesh, edhe ne të sotmëve të Kosovës do të na gjykojnë lidhur me atë se ç’do t’u lamë atyre, çfarë shteti funksional do të jetë Republika e Kosovës, çfarë pasurie do të trashëgojnë nga ne… Dhe pyetja më fundamentale do të jetë: Çfarë sigurie do t’iu lëmë shqiptarëve jashtë shteteve shqiptare?! A mund të shpresojmë se do t’ua lëmë një shtet sovran që funksionon mbi vlerat, parimet dhe standardet e sotshme të demokracive perëndimore dhe të integruar në BE dhe NATO. Shqiptarëve jashtë kufijve të shteteve shqiptare, mundësinë për integrime të gjithanshme kombëtare e evropiane. Shpresojmë t’u lëmë një treg të përbashkët kombëtar, për gjitha segmentet e jetës. Por, sa jemi duke e bërë të duhurën? Sigurisht që gjeneratat e ardhshme të një Kosove me fytyrë tjetër, nuk do të flasin për kohën e Administrimit Ndërkombëtar, por, do të flasin se, çfarë tradite shtetërore do t’u lëmë, demokratike apo despotike. Ndërsa, sa i përket pasurisë, kjo do të varet shumë nga ne dhe nga qasja që gjeneratat e reja do të kenë ndaj punës, ndaj burimit kryesor të pasurisë së kombeve, siç thotë Adam Smithi. Ndonëse kjo nuk është punë e lehtë e as pa sfida të mëdha, të brendshme e të jashtme.

Brezi i pavarësisë së Kosovës, që përfaqësojnë qytetarët e mrekullueshëm, duhen të angazhohen që Kuvendi i Republikës së Kosovës të përgatitë legjislacionin e duhur për të çuar Kosovën në familjen e madhe euro-atlantike. Por, mënyra si votohet dhe si ndikohet votimi në Kuvendin e Kosovës, si imponohen të zgjedhurit, lënë shumë për të dëshiruar. Popullit të Kosovës në legjislaturën e tretë të pavarësisë i mungojnë përfaqësuesit dinjitozë e me integritet dhe një gjë e tillë nuk duhet të përsëritet më.

Konferenca e Ambasadorëve në Londër, me gjithë dëmet e pa riparueshme për kombin tonë, ajo ia la një shenjë – Shqipërinë Londineze. Megjithatë, sot nuk duhej të ishim këtu ku jemi, pa sovranitetin në Sistemin e Drejtësisë! Pa dyshim, ky është faji ynë! Mbase kështu do të flitet edhe në Kosovë pas 103 viteve të 17 shkurtit 2008! Me gjithë dobësitë e cekura, ndryshimet progresiste në hartën evropiane nuk duhet mohuar. Gjeneratave të ardhshme po u mbetet shumë punë për të bërë!

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme