Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të tri komunave në jug të Serbisë, Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, po kërkojnë që në procesin e dialogut dhe marrëveshjes politike që pritet të arrihet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të futet si çështje edhe zgjidhja për këto tri komuna.
Ata me anë të një deklaratë të përbashkët kërkojnë që në dokumentin përfundimtar të një marrëveshjeje të mundshme Kosovë – Serbi, të jetë e përfshirë edhe çështja e statusit të tyre.
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi tha për Radion Evropa e Lirë se shqiptarët në Luginë të Preshevës, vazhdojnë të ballafaqohen me probleme dhe shkelje të mëdha të të drejtave njerëzore.
“Nuk mund të ketë stabilitet dhe paqe afatgjate në Ballkan derisa vazhdojnë të ekzistojnë burimet e krizës, çfarë janë këto në Luginën e Preshevës. Mendojmë se nuk mund të ketë raporte ndërfqinjësore të mira midis Serbisë dhe Kosovës, edhe eventualisht nëse arrihet një marrëveshje, derisa të drejtat e shqiptarëve këtu vazhdojnë të cenohen”.
“Prandaj, kemi kërkuar nga të gjitha palët pjesëmarrëse në këtë dialog në Bruksel, që të angazhohen që edhe çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët në Luginë të gjejnë një zgjidhje dhe të marrin drejtimin e duhur”, tha Kamberi.
Kamberi tha se shqiptarët e Luginës së Preshevës, kërkojnë nga Presidenti i Kosovës, Kuvendi dhe Qeveria që të angazhohen shumë më tepër në realizimin e kërkesave të shqiptarëve në këto tri komuna.
Ai tha po ashtu se është irelevante nëse në procesin e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë të ketë ndonjë përfaqësues nga Lugina e Preshevës, por, sipas tij, relevante është zgjidhja e problemit.
“Çështjet e pakicave kanë rol vendimtar. Derisa Kosova u ofron mundësi maksimale serbëve atje, në të njëjtën kohë Serbia ka kërkesa edhe mbi ato që ofron bashkësia ndërkombëtare, kurse shqiptarëve në Serbi u mohohen të drejtat më elementare, bile edhe ato të drejta të cilat me të drejtën e brendshme të Serbisë janë të garantuara”.
“Atëherë, ne kërkojmë që këtu të vendoset një paralelizëm. Krijimi i pakicave të privilegjuara si në rastin e serbëve në Kosovë në dëm të të drejtave fundamentale të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, nuk besoj se mund të jetë në të mirë të ndërtimit të fqinjësisë së mirë”, tha Kamberi.
Aleksandar Popov, drejtor i Qendrës për rajonalizim thotë se është joreale të pritet që në dialogun e Brukselit të zgjidhen çështjet e serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Serbi, ngase, siç thotë ai, të dyja vendet i kanë sistemet e tyre normative, që rregullojnë të drejtat e pakicave.
“Diku të drejtat e pakicave rregullohen mbi bazën e marrëveshjeve bilaterale të cilat Serbia i ka me Maqedoninë, Kroacinë, Hungarinë, Rumaninë, por që këto të drejta në gjithë Evropën janë të ndryshme. Kështu që këtu nuk ka një model të caktuar. Secili vend është rast më vete”, thotë Popov.
Ndërkaq, shefi i diplomacisë së Serbisë, Ivica Daçiq, duke komentuar deklaratën e përfaqësuesve shqiptarë nga Lugina e Preshevës, u kishte thënë atyre që të “mos luajnë”, duke nënvizuar se “çdo durim e ka edhe kufirin e vet”.
“Prishtina nuk dëshiron që të zbatojë atë që ka nënshkruar me Marrëveshjen e Brukselit për Asociacionin e komunave serbe, kurse këtu flasim për atë se këta tash po kërkojnë të drejta që nuk i kanë. Cilat të drejta nuk i kanë?”, kishte deklaruar Daçiq, duke kundërshtuar kërkesat e shqiptarëve të Luginës.