Shqiptari nga Maqedonia vret ish gruan e tij në Zvicër

Të hënën pasdite, Policia Kantonale e Cyrihut ka gjetur në një banesë në Dietikon (Cyrih) trupin e pajetë të një gruaje, viktimë e vrasjes me armë të ftohtë. Pak më vonë është arrestuar në Kantonin St.

Gallen personi i dyshuar për vrasje, që është bashkëshorti i gruas së vrarë. Ata kohëve të fundit kishin jetuar të ndarë, shkruan sda.ch.

Viktima 34 vjeçe ashtu si dhe i dyshuari për vrasjen e saj , 37 vjeçar, janë shtetas të Maqedonisë së Veriut.

I akuzuari, I.B., kishte rënë edhe më parë në konflikt me ligjin. Në shkurt të vitit 2018 ai ishte fajësuar për ushtrim dhune dhe kërcënim ndaj bashkëshortes. Atëherë ai ishte arrestuar dhe i ishte shqiptuar ndalesa e kontaktit dhe e qëndrimit në afërsi të banesës së gruas.

Pasi që gruaja, në prill 2019 kishte njoftuar se burri i saj sërish po e ndiqte, policia kishte ndërmarrë masa plotësuese ndaj tij, mbi bazën e mbrojtjes kundër dhunës, transmeton albinfo.ch. Këto masa përfshinin edhe ndalimin e qëndrimit në rajon dhe të kontaktit me gruan.

Kjo ndalesë pastaj i ishte zgjatur me vendimin e gjykatës edhe për tre muaj tjerë. Gjatë kësaj periudhe, e cila ka përfunduar në fund të korrikut, nuk ishte shënuar ndonjë shkelje tjetër.

Në mëngjesin e hershëm të të dielës, më 25 gusht, katër javë pas mbarimit të masës për ndalim kontakti, ai kishte provuar të vendosë kontakt me gruan, me të cilën e kishte të përbashkët përgjegjësinë për përkujdesje të fëmijëve. Por në vend të saj, aty kishte qenë një i afërm i saj. Ky i fundit kishte njoftuar policinë se personi në fjalë po cingëronte pareshtur në zile dhe se po sillej në mënyrë të çuditshme.

Po atë ditë, policia kishte marrë edhe dy telefonata sipas të cilave 37 vjeçari sërish ishte paraqitur në Dietikon, por policët që ishin mobilizuar, nuk e kishin gjetur aty.

Rrethanat e sakta dhe motivet e vrasjes janë ende të paqarta. Ato janë objekt i hetimeve që po zhvillohen nga ana e Prokurorisë Publike të Kantonit të Cyrihut, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë Kantonale të Cyrihut.


më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme