Shqiptari që po mahnit botën me aftësinë e tij

Idriz Zogaj, shqiptar nga Kosova që jeton në Suedi, prej vitesh merret me sportin e kujtesës, merr pjesë në kampionate botërore, ka fituar shumë çmime dhe trajnon grupe të rinjsh për një kujtesë të fortë.

“E gjitha është teknikë, -thotë ai, – që, nëse e mëson, ia del për një super-kujtesë. Nëse truri ushtrohet me teknikat e duhura, ashtu si trupi në palestër, do ia dilni të mbani mend shifra pafund, emra, ngjarje etj”.

Ai është diplomuar për inxhinieri fizike, por më së shumti e njohin si ekspert i teknikave të kujtesës. Është larguar nga Kosova, vendi i tij i lindjes, në moshën 2-vjeçare.

Ka 38 vite që jeton në Suedi ku edhe vazhdon pasionin e tij të madh.

Mëson të tjerët se si të përmirësojnë kujtesën e tyre dhe beson se me praktikën e duhur dhe me ushtrimet e vazhdueshme të gjithë mund të kenë një superkujtesë.

Ai është një nga ata personazhe që ka marrë pjesë në fjalimet e TEDX, të cilat janë klikuar shumë, pasi të gjithë duan të vjedhin teknikat e tij, se si të mbash mend.

Idrizi ka përfaqësuar Suedinë në Kampionatet Botërore të kujtesës ku ka fituar edhe çmime të shumta në këtë sport.

Mund të mbajë mend letrat sipas radhës duke i parë për fare pak kohë, numrat, vitet apo ngjarjet e ndryshme, ekuacionet dhe mund t’i fiksojë pa kurrfarë problemi.

“Kam filluar të merrem me këtë sport që në vitin 2004. Ishte koha kur doja të mësoja një gjuhë të huaj, një gjuhë të re, dhe teksa kërkoja libra për të mësuar gjuhën, u hasa me një botim, i cili kishte të bënte me mësimet për të forcuar kujtesën. Aty thashë, në rregull, që të mësosh një gjuhë të huaj duhet të dish ta memorizosh atë. Në atë libër ngeca pa dashje në kapitullin e fundit, ku thoshte që nëse përvetëson këto teknika, mund të marrësh pjesë në kampionatin botëror dhe të konkurrosh aty. Unë u habita me veten që, në harkun kohor të disa javëve arrita të kaloj disa nivele njëherësh. Dhe kështu, në po atë vit mora pjesë për herë të parë në garën e madhe të kujtesës, ku merrnin pjesë përfaqësues nga 30 vende të botës”- tregon Zogaj për Dita-n.

Janë të shumtë ata që nuk e dinë se çfarë është sporti i memories. Mjeshtri i kësaj pune na e shpjegon kështu: “Është një sport si gjithë të tjerët. Në këtë rast duhet të mësosh teknika dhe të memorizosh letra, shifra, fjalë, data, emra, çdo gjë që do ti ta fusësh në trurin tënd. Gjërat që nuk i kupton truri, që janë abstrakte për të, ti nuk mund t’i mbash mend, në këto moment duhet ta vizualizosh informatën, ta thjeshtosh. Për shembull, një shifër të caktuar mund ta krahasosh me një personazh të caktuar, sepse atëherë ti arrin që ta memorizosh”.

Po stresi, sa ndikon në dobësimin e kujtesës, e pyesim Idrizin i cili është shumë i pasionuar pas këtij sporti

“Ndikon shumë. Stresi ta dëmton trurin. Nëse një person është i shoqëruar vazhdimisht nga stresi, ai goditet direkt në memorie, ndaj duhet të ketë kujdes. Dhe ky është një moment ideal për t’u stërvitur mbi memorien. Po ashtu duhet të bësh një jetë të shëndetshme. Duhet të kesh një regjim gjumi normal. Duhet të flesh të paktën 7 deri në 8 orë në 24 orë. Duhet të ushqehesh mirë, pasi nëse trupi yt nuk është mirë, atëherë nuk është as mendja. Kur kemi stres edhe harrojmë më lehtë”.

Deri më sot ai është i vetmi shqiptar që angazhohet në këtë sport.Kënaqësia që merr nga ky angazhim është e madhe…

“Po është një lloj sikur të shkosh në palestër e të bësh një ushtrim, në fund thua: Ua e bëra këtë!

Stërvitja e trurit duhet të jetë pjesë e shkollës, duhet të jetë pjesë e lëndëve mësimore”-shprehet kampioni Zogaj për Dita-n./Dita/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme