Shqiptari vrau kushëririn se i shau gruan

Denis Zaka, një 28- vjeçar i punësuar si çoban në Greqi, masakroi me thikë kushëririn e tij të parë, në gusht të vitit 2016.

Para se ta groposte pranë një përroi, ai i ka marrë telefonin celular viktimës dhe i ka shkruar bashkëshortes së tij, duke u hequr si i ndjeri.

Nga ana tjetër, për disa ditë me radhë, ai ka mbajtur qëndrim të gënjeshtërt në komunikimet e shpeshta që ka pasur me bashkëshorten e viktimës, duke thënë se kushëriri i tij, Mersin Murrizi, kishte ikur në një fshat tjetër në Greqi.

Detajet e ngjarjes makabre u pohuan dje te Krimet e Rënda nga prokurori Vladimir Mara, në seancën e parë gjyqësore në ngarkim të Denis Zakës, i akuzuar për “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Liljana Baku, pranoi kërkesën e tij për shqyrtim të çështjes me procedurën e gjykimit të shkurtuar.

Përmes këtij lloj gjykimi, ai “shpëton” nga dënimi me burgim të përjetshëm, duke pasur si rrezik maksimal të mundshëm, në rast se shpallet fajtor, dënimin me 35 vjet heqje lirie.

Gjatë seancës, Zaka foli vetëm kur konfirmoi gjeneralitetet para trupit gjykues dhe kur konfirmoi “jam dakord me avokatët” në lidhje me kërkesën për gjykim të shkurtuar. Në sallën e gjyqit nuk ndodhej asnjë familjar i tij. Pasi u njoh me kërkesën për gjykim, gjykata ndërpreu seancën dhe shtyu gjyqin për në 11 maj, ditë kur pritet të lexohet pretenca e prokurorisë.

VRASJA

Përfaqësuesi i prokurorisë i tha gjykatës se më 7 gusht 2016, babai i viktimës Vladimir Murrizi ka kallëzuar në Policinë e Fierit vrasjen e të birit të tij në Greqi. Ai shoqërohej nga i afërmi i familjes, Denis Zaka, që më pas rezultoi të ishte autori i krimit makabër.

Në deklarimet e tij, i pandehuri ka pohuar se kishte ftuar djalin e tij të dajës, Vladimirin, të punonte bashkë me të në Greqi. Në një nga netët e qëndrimit, ata kanë konsumuar sasi të mëdha alkooli.

“Vladimiri më tha të shkonim të vidhnim një frezë te një fshat tjetër. Unë mora një thikë, ndërsa ai një shufër hekuri”, ka deklaruar Zaka.

Sipas prokurorisë, gjatë rrugës ata janë konfliktuar me njëri-tjetrin. Ky konflikt është shoqëruar me të shara, ku Murrizi ka lëshuar ofendime dhe në emër të gruas së Zakës.

Gjatë zënkës, Zaka e ka qëlluar atë me thikë disa herë, duke i shkaktuar vdekje të menjëhershme. Sipas prokurorisë, pas ngjarjes, Zaka e ka groposur të afërmin e tij pranë një përroi.

“Ai i ka marrë telefonin celular viktimës dhe i ka shkruar bashkëshortes së tij, duke u shtirur si viktima”, tha prokurori.

Në ditët në vijim, sipas prokurorisë, i pandehuri ka pasur kontakte telefonike me bashkëshorten e viktimës në Shqipëri, së cilës i thoshte se i shoqi i saj kishte shkuar në një fshat tjetër grek për të punuar.

Përfaqësuesi i prokurorisë tha dje se pasi ai pranoi fajësinë dhe tregoi si kishte ndodhur ngjarja, si edhe përgatiti një skicë ku tregonte vendin ku kishte groposur viktimën, përmes kësaj skice të përcjellë me letërporosi autoriteteve greke, është bërë i mundur edhe gjetja e trupit të viktimës. /Panorama/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme