Shqiptaria është marrë peng nga ‘profetë’ që u shërbejnë kriminelëve!

Nga Kim Mehmeti

Pas tetë viteve drejtim të vendit, Kryeministri pohoi atë që me vite flitet e thuhet nëpër kafenetë e Shqipërisë: se ka pjesëtarë të policisë, të cilët i paguan populli, por u shërbejnë të fortëve dhe kriminelëve.

E tha këtë duke u shtirë se vonë e ka kuptuar sa kanë degraduar institucionet e shtetit dhe, duke dashur të kumtojë atë që don ta dëgjojë populli, atë që e shton dendësinë e mjegullës që e mbulon mallkimin që ka pllakosur vendin.

Ndërkohë, Kryeministri i Shqipërisë, e heshtë atë që e dinë, por nuk guxon ta thotë: se institucionet e shtetit degradojnë aty ku pushtetarët janë shërbëtorë të krimit dhe të nëntokës politike. Pra aty ku pushtetarët i ngjajnë qenit të tërbuar, mbi trupin e të cilit bëjnë aheng pleshtat e morrat, por ai nuk ka kohë të kruhet e të lehë, sepse merret me copën e mishit që ka në gojë – me zhvatjen e Shqipërisë!

Pra Piktori foli për policinë duke përdorë dhuntinë që ka: oratorinë e cila, te naivët, ia mbulon atë që bën dhe e shpërfaq të atillë siç nuk është. Foli pra jo si kryefajtor për zhbërjen e shtetit, por si të ishte përfaqësues i ndonjë organizate joqeveritare, apo ashtu siç flasin diplomatët e huaj, ashtu siç mund të flet vetëm një burrështetas që beson se ata që e dëgjojnë, as e kuptojnë çka u thotë dhe as dinë gjë.

Po atë dhunti ai e përdorë për ta mbuluar edhe vëllazërinë me Vuçiqin dhe armiqësimin me gjithë shqiptarët që e kritikojnë atë. Për ta mbuluar të vërtetën se, si askush tjetër në këtë Ballkan, ai është bërë  krua nga i cili i lajnë duart e përgjakura të gjithë ‘vuçiqët’ e Serbisë, të dalë nga kapota e Millosheviqit, e që sot i janë përkushtuar ‘mini Shengenit’. ‘Mini Shengenit’ që burrështetasve serb ua mbulon të shkuarën luftëndjellëse, e disa burrështetasve shqiptarë të sotmen ‘hajdutokrate’.

Dhe ku ta dish, mbase e tëra ka të bëjë me atë se edhe shumica e votuesve të sotëm, njësoj si komunistët e djeshëm që shtireshin se nuk i shohin krimet e xhaxhit Enver, bëhen se nuk e shohin   se e ardhmja e shqiptarisë është marr peng nga pushtetarët që shtiren se janë profetë, por që u shërbejnë kriminelëve, nga burrështetasit, që lavdinë e vet e ndërtojnë mbi mjerimin e vendit dhe popullit të vet.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme