Laura Rexhepi, shqiptarja 28-vjeçare kishte vend të sigurt pune për gjashtë vite me radhë, asnjëherë nuk ka pasur borxhe dhe kishte vijuar kurse të gjuhës gjermane. Megjithatë, ajo do të dëbohet nga Zvicra.
Laura Rexhepi duhet të largohet nga Zvicra më 18 qershor të këtij viti. Ajo ka ndjekur kurse gjermane dhe ka pasur punë të përhershme. Por, ajo gjithashtu u divorcua me burrin e saj.
Ajo është një e shtetase e huaj që është shmebull për secilin: Laura Rexhepi (28), që nga viti 2011 me banim në Zvicër, ka bërë gjithçka për t’u integruar sa më shpejt të jetë e mundur.
Që nga viti 2012, shqiptarja nga Lugina punon me orar të plotë në McDonald’s të Abtwilit SG, pa ndërprerje. Si mbikëqyrëse e ndërrimit të turneve, ajo është përgjegjëse për 15 puntorë dhe fiton 4.600 franga në muaj.
Laura ka përfunduar kurse gjermane me shpenzimet e veta, nuk ka qenë kurrë në borxhe dhe ka një reputacion pa kurrfarë të metash, shkruan “Blick”. Qiranë për apartamentin e saj një dhome e gjysmë në St. Gallen dhe taksat, gjithmonë i ka paguar në kohë.
Megjithatë, menaxherja shqiptare e McDonald’s duhet të largohet nga Zvicra të hënën. Dëbimi nga viti 2015 u mbështet nga Gjykata Federale në maj të këtij viti dhe ligjërisht është i detyrueshëm. Avokati i saj, të cilin Laura e paguan personalisht, mund të kërkojë vetëm një prolongim të kohës.
Arsyeja për dëbimin e saj: Laura u divorcua nga bashkëshorti i saj, gjithashtu me prejardhje nga Lugina, në vitin 2013. Ai kishte vizën C dhe në vitin 2011, Laurën e solli në Zvicër, në kuadër të bashkimit familjar.
Për shkak se martesa nuk ka zgjatur më shumë se tre vite, Laura tani duhet të largohet nga Zvicra. Ky është Ligji zviceran për të huajt nga shtetet jo-anëtare të BE-së si Serbia. Përjashtime bëhen kur çifti shkurorëzohet për arsye të rëndësishme. Për shembull, për shkak të dhunës në familje.
Laura nuk mund të deklarojë ndonjë arsye të tillë. Ajo ishte “vetëm” e shtypur, thotë ajo. “Burri im filloi terrorin kur e pranova punën time në McDonald’s. Ai kërkoi që unë të rrija në shtëpi dhe të gatuaja, të pastroja dhe t`i laja rrobet”. Për këto punë, ai i kishte dhënë edhe bakshish.
E paparamendueshme për gruan shqiptare: “Unë dua të mbetem e pavarur dhe të mos jem shërbëtore e burrit tim”.
Për shkak se ajo ka synuar ta përjetojë lirinë që e shijojnë gratë zvicerane, ajo tani duhet të largohet nga Zvicra.
“Po të kisha vazhduar të qëndroja e shtypur nga ish burri im, do të më lejohej të qëndroja në Zvicër, kjo është e pakuptueshme”.
Ish bashkëshorti i saj e sheh ndryshe. Sipas autoriteteve përkatëse, ai i kishte informuar ata pas ndarjes se Laura e kishte martuar vetëm sa për të marrë pasaportën zvicerane. Kjo kurrë nuk ka qenë një martesë e vërtetë. Laura e mohon deklaratën e tij. “E kam dashur”, këmbëngul Laura.
Për Departamentin e Drejtësisë në St. Gallen nuk ka shumë rëndësi. Kur është fjala për dëbim, duhet llogaritur në parim. Sipas ligjeve në fuqi për të huajt, Laura nuk i përmbush kriteret e parapara në këto raste dhe të hënën duhet t`i bëjë gati valixhet, , përcjell Albinfo.ch.