Gazetare: Melihate Rustemi
Libri i Gjeografisë për klasën e shtatë me mësim në gjuhën shqipe është përmirësuar në versionin online, ndërsa korrigjimet në tekstet e shtypura pritet të bëhen në botimin e ardhshëm, bëjnë të ditur nga Ministria e Arsimit.
Në versionin e ri online shkruhet se “Kosova kufizohet me Serbinë në veri dhe në lindje” kur bëhet fjalë për pozitën gjeografike. Ndërsa, në pjesën për relievin thuhet se “Relievi përbëhet nga Luginat e Fushë Kosovës, në pjesën qendrore dhe lindore, dhe Rrafshi i Dukagjinit në pjesën perëndimore”. Më tej, në këtë njësi mësimore kur bëhet fjalë për qytetet më të mëdha tashmë shkruhet Mitrovica dhe jo Mitriovica e Kosovës siç ishte më parë. Ajo që mbetet pa përmirësuar në këtë tekst është pjesa që ka të bëj liqenet. Liqeni i Ujmanit sërish është i shkruar si Gazivoda, e madje ne këtë rast thuhet se është lum dhe jo liqe.
Ndryshe nga versioni shqip, në versionin maqedonisht teksti mbetet i njëjtë pa asnjë përmirësim të vogël. Përdoret termi Metohi, Mitrovica e Kosovës si dhe ajo se Republika e Kosovës gjendet në jugperëndim të Serbisë.
Alsat tashmë disa ditë ka raportuar se në tekstin shkollor të Gjeografisë për klasën VII, botuar nga shtëpia botuese “Trimaks”, Shkup dhe miratuar me vendim zyrtar nga Komisioni Kombëtar për Libra Mësimore më 5 gusht 2025, janë identifikuar një sërë pasaktësish dhe formulimesh të cilat, sipas mësimdhënësve dhe prindërve, shkaktojnë shtrembërime historike dhe nxisin interpretime të gabuara për Republikën e Kosovës.
Libri, i përgatitur nga autori Bllagoja Markoski, me recensentë Dragan Kollçakovski, Nikolla V. Dimitrov dhe Nevenka Stoeva, i përkthyer në gjuhën shqipe nga Roland Poloska dhe i lekturuar nga Farketa Dibra Zeqiri është futur në përdorim gjatë vitit shkollor 2025. Megjithatë, pavarësisht procesit të recensimit dhe aprovimit, njësia mësimore për Kosovën ka nxitur reagime të gjera për shkak të disa përmbajtjeve të konsideruara të papërshtatshme.
Mësimdhënësit dhe profesorët universitarë vlerësojnë se gabimet serioze në tekstin shkollor Gjeografia për klasën e shtatë dhe jo vetëm, nuk janë të rastësishme dhe përsëriten prej vitesh. Ata kujtojnë se problemi ka rrënjë të thella që datojnë qysh nga viti 1981, kur filluan tentativat për të bastarduar dhe mënjanuar toponimet shqipe. Sipas ekspertëve, kjo praktikë ka vazhduar deri në ditët e sotme, duke u shfaqur nëpërmjet përmbajtjeve të shtrembëruara në lëndët shkollore duke shtuar se problemi nuk është një gabim i thjeshtë teknik, por thelbësor dhe përmbajtjesor duke vënë në dyshim profesionalizmin e autorëve dhe njohjen e lëndës.
Pavarësisht pyetjeve të dërguara në Ambasadën e Kosovës, nga kjo e fundit u përgjigjën shkurtimisht se Ambasada është në dijeni lidhur me tekstin shkollor në fjalë duke shtuar se janë në kontakt me autoritetet relevante në funksion të korrigjimit të gabimit në afat sa më optimal. /Alsat.mk



