Është shtyrë për më 28 maj seanca gjyqësore për çështjen e sterilizimit, për shkak të largimit për arsye familjare të avokatit të të pandehurit Klodian Rjepaj.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se i pandehuri Rjepaj në fjalën e tij para gjykatës deklaroi se çështja është paragjykuar ndër vite dhe se sipas tij, nuk është lejuar të debatohet në mënyrë profesionale.
“Paragjykimi për këtë çështje është shumë i madh. Deri më sot çdo vendim gjykate ka treguar paragjykim ndaj kësaj çështjeje. Nga ana mediatike, sterilizimi është bërë si thesi bosh i miellit, që sa herë e shkund nxjerr tym”, tha Rjepaj.
Ai ndër të tjera, ai pretendon se “projekti i Sterilizimit është një devijim nga projekti i vërtetë. Është devijim i qëllimshëm për të bërë persekutim. Nuk ekziston projekti i Sterilizimit”.
I pandehuri Klodian Rjepaj: Ne jemi këtu për një procedurë, që ka gati 19 vite që diskutohet, paragjykohet, akuzohet dhe në asnjë rast kjo çështje nuk është lejuar të debatohet shkencërisht, por është debatuar në mënyrë folklorike, mediatike dhe politike.
Paragjykimi për këtë çështje është shumë i madh. Deri më sot çdo vendim gjykate ka treguar paragjykim ndaj kësaj çështjeje. Nga ana mediatike, sterilizimi është bërë si thesi bosh i miellit, që sa herë e shkund nxjerr tym.
Në respekt të kirurgëve dhe stafeve mjekësore, që janë ndihmuar nga ky shërbim duhet bërë një debat i mirëfilltë. Kisha shkruar me shkrim dore sot, por më ra një shishe ujë mbi letra dhe u shpërnda boja.
Projekti i Sterilizimit është një devijim nga projekti i vërtetë. Është devijim i qëllimshëm për të bërë persekutim. Nuk ekziston projekti i Sterilizimit. Të gjithë elementët në kallëzim nuk përputhen me elementët e projektit.
Nuk është gjykuar deri sot që akt-padia e bërë nga “Nisma Thurje” është e rreme, mbi fakte të pavërteta.