Është shtyrë për muajin gusht gjykimi ndaj ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, ish-drejtorit të KEK-ut, Arben Gjukaj e ish-kreut të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha si dhe katër të akuzuarve të tjerë në rastin e tenderit gjashtë-milionësh në Korporatën Energjetike të Kosovës, raporton KTV.
Kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, ka bërë të ditur për palët në procedurë, se kjo seancë nuk do të mbahet, pasi anëtari i trupit gjykues, Shashivar Hoti, gjendet në pushim vjetor.
Në sallë nuk ishte prezent as Sami Lushtaku, për të cilin mbrojtësi i tij, Arianit Koci, deklaroi se është rrugës duke ardhur në gjykatë.
Ndryshe, gjatë muajit korrik ishte paraparë që në këtë gjykim të mbahen seanca edhe më 18 e 19 korrik, por të njëjtat janë anuluar për shkak të mungesës së gjykatësit Hoti.
Seanca e ardhshme në këtë rast pritet të mbahet më 24 gusht. Këshilli Gjyqësor i Kosovës më 27 shtator të vitit të kaluar kishte miratuar kërkesën e EULEX-it që rasti “KEK 2”, t’u delegohet gjyqtarëve vendorë.
© KOHA.