Gazetar: Mefail Ismaili
Qytetarët të cilët ndalohen ose privohen nga liria ose mbahen në stacione policore, shumë pak e shfrytëzojnë të drejtën e mbrojtjes nga Avokati dhe shërbimet juridike, shkruan Alsat.
Avokati i popullit Naser Ziberi thotë se në vendet ku mbahen personat e ndaluar ose privuar nga liria kanë hasur në mungesë të listave të azhurnuara të avokatëve që japin shërbime juridike, stacione policore ku aspak nuk ka lista dhe shumë mangësi të tjera.
“Personat e privuar, madje vetëm pesë për qind prej tyre shfrytëzojnë të drejtën e mbrojtjes nga avokati, ndërsa personat e ndaluar deri në 15%. Prezenca e avokatëve në fazën e parë të privimit dhe ndalimit është shumë e rëndësishme si mënyrë për ti mbrojtur të drejtat e këtyre personave dhe për të krijuar një balancë mes personit ndaj të cilit ndërmerren këto masa dhe institucioneve me autorizime të posaçme”, tha Naser Ziberi, Avokat i Popullit.
Kryetari i Odës së Avokatëve, Lubomir Mihajllovski, thotë se në momentin e parë kur qytetari ndalohen ose privohet nga liria, nuk i sqarohet e drejta dhe e dyta avokatët të cilët u japin shërbime juridike nuk paguhen nga shteti por punojnë pa pagesë.
“Ne duhet të kemi sistem në shtet si të gjitha shtetet tjera që do të sigurojë mjete dhe kushte për punë të avokatëve për fazën më të hershme të procedurës penale”, theksoi Lubomir Mihajllovski, kryetar i Odës së Avokatëve.
Për shkak të sistemit me plot mangësi, Oda e Avokatëve dhe Avokati i Popullit, me mbështetje të Komisionit Evropian nënshkruan memorandum bashkëpunimi për rritjen e vetëdijes së qytetarëve dhe Institucioneve për të drejtën e qytetarëve për mbrojtjen nga avokati./Alsat.mk