Gazetar: Zekirija Haxhiu
Më tepër shitës se sa blerës. Kështu është gjendja thuajse çdo ditë në tregun e Shuto Orizares.
“Nëse vite më parë dita e diel ishte e rezervuar për tregun e Shutkës, sot Shuto Orizarja është thuajse e zbrazur. Ndonëse janë ndërtuar dyqane të reja dhe tregu është rinovuar, shumica e dyqaneve janë të mbyllura”, raporton gazetari i Alsat, Zekirija Haxhiu.
Shitësit thonë se më parë kanë pasur më tepër shitje, edhe pse shitnin nëpër tezga dhe në kushte jo të mira. Ndikim më të madh për uljen e shitjes në tregun e Shutkës, tregtarët thonë se e ka pasur lufta në Ukrainë, por edhe pandemia e Covid 19. Ndikim kanë dhe mungesa e autobusëve por edhe hapja e shumë qendrave tregtare.
“Atje është më lirë dhe shëtitën njerëzit. Shkojnë për shembull pasdite në ora 17, dhe pas orarit të punës, bëjnë Pazar por edhe më lirë është.
A konsideroni se luan rol edhe mungesa e autobusëve?
Autobusë nuk ka fare. Ja tani unë kam vërejtur, vetëm dy autobusë lëvizin. Kjo është turp! Turp i madh për një lagje të tillë vetëm dy autobusë të lëvizin. Kjo kryetarja nuk e di se çfarë bënë, a luan me popullin?”, tha një shitës.
“Nuk ka myshteri, janë hapur shumë markete, shumë dyqane. Edhe kjo ndikon, mungesa e autobusëve. Tanimë një vit që nuk ka rregullisht autobusë. Ato që vijnë me vetura, kanë vetura dhe do të vijnë por ato që vijnë me autobus normalisht se nuk kanë transport nuk mund të vijnë. Kjo ndikon më së shumti”, u shpreh një shitës tjetër.
“Ata janë konkurrentë të mëdhenj në krahasim me ne. Ja unë dua ta mbyllë dyqanin.
Pse?
Arsyeja është një se ata janë gjigantë. Kanë vende ku i qepin, krijojnë brende ndërsa ne nuk kemi brende këtu. Këtu shitet një mall i cili kur tu tregosh se nuk është brend, ikin. Tani edhe ushqimi është shumë i shtrenjtë. Derisa të bëjnë llogari për veshmbathje, ato janë opsioni i tretë apo i shtatë të themi”, theksoi një shitës.
Tregu i Shuto Orizares gjithmonë është njohur për çmime të lira të veshmbathjeve dhe për këtë shkak kishte vizitorë jo vetëm nga Shkupi por edhe nga qytete tjera të vendit. Por inflacioni në Turqi bëri që atje të shtrenjtohet tekstili me çka ndikoi edhe në çmimet e tregut tonë./ Alsat.mk