Si do mbyllen kompanitë shtetërore në likuidim? Operatori i Shoqërive Shtetërore do të menaxhojë asetet dhe detyrimet

Qeveria ka përcaktuar rregullat dhe procedurat për mbylljen dhe çregjistrimin përfundimtar të shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim, si dhe mekanizmin për trajtimin, administrimin dhe kalimin e të drejtave dhe detyrimeve të tyre.

Ligji i botuar në Fletoren Zyrtare, zbatohet për shoqëritë tregtare me kapital shtetëror jo më pak se 51%, të cilat ndodhen në proces likuidimi në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Ndërsa, shoqëritë tregtare me kapital shtetëror që shpallen në proces likuidimi pas hyrjes në fuqi të këtij ligji vijojnë procedurat e likuidimit sipas ligjit të vitit 2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, i ndryshuar.

Sa i takon procedurës së mbylljes, Asambleja e Përgjithshme e shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim vendos fillimin e procedurës së çregjistrimit sipas parashikimeve të ligjit. Të drejtat dhe detyrimet e shoqërive tregtare shtetërore në likuidim transferohen nga shoqëritë ekzistuese tek shoqëria tregtare shtetërore e krijuar, në zbatim të këtij ligj.

Pas përfundimit të transferimit të të drejtave dhe detyrimeve, Asambleja e Përgjithshme merr vendimin për mbylljen përfundimtare të shoqërive tregtare shtetërore në likuidim, si dhe autorizon çregjistrimin e tyre në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Pas përfundimit të transferimit të të drejtave dhe detyrimeve, shoqëritë tregtare me kapital shtetëror në likuidim çregjistrohen nga Qendra Kombëtare e Biznesit.

Për qëllime të çregjistrimit, në Qendrën Kombëtare të Biznesit depozitohen: vendimi i Asamblesë dhe pasqyrat financiare të mbylljes së shoqërisë në likuidim dhe më pas kryhet çregjistrimi.

Sipas ligjit, paralelisht, për administrimin, trajtimin dhe menaxhimin e aseteve e të detyrimeve të mbartura, krijohet shoqëria tregtare shtetërore “Operatori i Shoqërive Shtetërore” sh.a. Aksionari i vetëm i shoqërisë është Ministria e Ekonomisë. Konkretisht, Shoqëria do të bëjë administrimin e aseteve të transferuara; shitjen ose privatizimin e tyre, sipas legjislacionit në fuqi, me qëllim shlyerjen e kreditorëve. Për shitjen apo privatizimin e aseteve që mund të kenë rëndësi strategjike apo mund të cenojnë sigurinë kombëtare paraprakisht merret miratimi nga ministritë përgjegjëse.

Shoqëria do të ketë si objekt veprimtarie gjithashtu arkëtimin e detyrimeve debitore si dhe sistemimin në kontabilitet të detyrimeve debitore dhe kreditore të parashkruara ose të pakërkueshme.

Shoqëria shtetërore pasuese krijohet me kohëzgjatje të përcaktuar deri në përfundimin e proceseve të administrimit dhe shitjes së aseteve, arkëtimit të kërkesave dhe shlyerjes së detyrimeve të transferuara dhe më pas i nënshtrohet et procedurës së likuidimit./ Scan

The post Si do mbyllen kompanitë shtetërore në likuidim? Operatori i Shoqërive Shtetërore do të menaxhojë asetet dhe detyrimet appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme