Si do të duket Ushtria e Kosovës: 8000 ushtarë, pushkë turke, tanke…

Kosova për të dytën herë po e shqyrton seriozisht mundësinë që themelimin e ushtrisë (Forcave të Armatosura të Kosovës) ta bëjë përmes ligjit, pasi themelimi me anë të ndryshimeve kushtetuese, po pengohet nga deputetët e minoritetit serb.

Mediat serbe, gjegjësisht gazeta më e madhe beogradase ‘Blic’ sot është marrë gjerësisht me këtë temë, dhe thotë se me këtë Kosova po mundohet që ta forcojë sovranitetin, përcjell gazetametro.net.

Në këtë fazë ajo që po paraqet pengesë, është komuniteti ndërkombëtar, i cili po insiston që duhet pritur, në mënyrë që ushtria të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese.

Që transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri do të ndodhë, përveç presidentit Hashim Thaçi, e ka thënë edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili së fundi ka thënë se “Prishtina nuk mund të pres pafund në transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri”.

Siç mësohet, plani i ri parasheh një periudhë prej 10 vjetësh gjatë së cilës do të bëhet tranzicioni. Paketa ligjore që lidhet me strukturën organizative FAK është dërguar në zyrën e Kryeministrit dhe pas kalimit të procedurës do t’i paraqitet Kabinetit të Qeverisë. Pastaj do t’i dërgohet Kuvendit për votim.

Ushtria në tri faza

Se kjo ndërmarrje është serioze dhe jo vetëm deklarative, e dëshmon edhe plani i detajuar që institucionet e Kosovës e kanë për formimin e ushtrisë. Ajo që dihet deri tani është se ushtria e kosovare do të përbëhet nga 8000 pjesëtarë, nga të cilët 3000 do të jenë forcë rezervë.

Nëse ushtria do të formohej në tri faza, ky plan do të duhej të fillonte të implementohej më së largu nga fundi i vitit 2019.

Fillimisht do të shkohet me ndryshimet ligjore dhe kushtetuese për formimin e FAK. Faza e dytë i përket strukturës komanduese dhe armatosjes së ushtrisë, ndërsa e treta plotësimi i forcës me pjesëtarë dhe armatime për nevoja operacionale.

Gjithashtu, autoritetet e Kosovës kanë trajtuar edhe çështjen se çfarë armatimi mund të blejnë vet, dhe cilat mund t’i marrin përmes donacioneve apo çmimeve të privilegjuara.

Ndihmë turke

Tashmë është e ditur se Turqia i ka dhuruar FSK’së 20 autoblinda ‘kobra’. Gjithashtu ushtarët kosovarë do të përdorin pushkë që janë prodhim turk.

Vitin e kaluar, pati edhe bisedime për blerjen e një helikopteri dhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka folur në mënyrë të përsëritur për këtë me Turqinë.

Tani për tani bëhet fjalë për forcë modeste

Sidoqoftë, siç është gjendja tani, Forca e Sigurisë së Kosovës nuk mund të mburret për armatim dhe kapacitete. Kjo mbështetet nga fakti se buxheti për ushtrinë kosovare është rreth 70 milionë euro, gjë që është shumë i ulët për ndërmarrje serioze, madje krahasuar edhe me vendet e rajonit.

Mirëpo, në të ardhmen Kosova synon që të blejë armë shtesë për këmbësorinë, pushkë automatike, artileri anti-ajrore, mortaja dhe municione për to, dhe madje edhe dy tanke, dhe të gjitha këto “përmes kompanive nga Katari që shesin armë”.

Helikopterë në letër

Ish-kryeministri i Kosovës Isa Mustafa në fillim të vitit të kaluar formoi një komision për t’u marrë me blerjen e helikopterëve, por kjo ka mbetur vetëm në letër, pasi Kosova ende vazhdon të mos e ketë asnjë helikopter.

Formimi i FAK, a nënkupton largimin e KFOR’it

Nëse Kosova ndodh që të formojë ushtrinë e vet, nuk do të thotë domosdoshmërisht largimi i misioneve ndërkombëtare, së paku jo KFOR-i.

Komandanti i KFOR’it, gjenerali Salvatore Kuchio, disa ditë më parë tha se, në rastin e formimit të FAK, anëtarët e NATO-s do të vendosnin individualisht secili nëse do të duan të qëndrojnë në Kosovë apo jo. Me këtë nënkuptohet se disa vende partnere të Kosovës, sidomos SHBA’të, do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë, edhe pasi Kosova të ketë formuar ushtrinë e saj. /gazetametro.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme