Momente paniku dhe frike kanë përjetuar 367 pasagjerët dhe 12 anëtarët e ekuipazhit të avionit të kompanisë “Japan Airlines”, që u përplas me një avion të rojes bregdetare dhe shpërtheu në flakë pak pas uljes në aeroportin Haneda të Tokios.
Pamjet e transmetuara nga televizioni shtetëror NHK tregojnë se avioni është përfshirë nga flakët teksa është ulur në pistën e aeroportit, me pasagjerët që nxirren nga ai duke përdorur daljet e emergjencës dhe slitën e fryrë me ajër.
Në vendngjarje shihen edhe zjarrfikësit duke tentuar të shuajnë zjarrin, ndërsa duhet thënë se avioni u shkrumbua plotësisht.
Një zëdhënës i Japan Airlines sqaroi për mediat se avioni ishte ngritur nga aeroporti Shin-Chitose i Hokkaido në Japoninë veriore dhe zjarri shpërtheu kur u ul në aeroportin Haneda të martën pasdite.