Si e zbardhi Kushtetuesja paktin 200 mln euro mes Ramës e Fushës

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Teatrin kombëtar ka hedhur përfundimisht dritë për një çështje për të cilën ka pasur debat publik tmerrësisht të gjatë. Nga njëra anë ishin renditur rilindësit, mercenarët e tyre mediatikë, idiotët e dobishëm të teatrit që mbronin me pathos ligjin special, që me anë të një votimi në parlament i jepte të drejtën kompanisë private Fusha të ndërtonte teatrin e ri duke ngritur edhe kullat e një biznesi 200 milionë eurosh prapa tij.

Argumenti i tyre ishte sa trushplarës po aq edhe banal: “boll të bëhemi me teatër modern, pasi shteti nuk ka para për ta ndërtuar”.

Ndërsa beteja e atyre që mbronin teatrin ishte se këtu kishim të bënim me një grabitje, me një ligj selektiv që i falte një kompanie të vetme tokën publike ku do të zhvillonte biznesin e kullave në qendër të kryeqytetit.

Ndonëse qeveria dhe bashkia u tërhoqën nga ky version shumë kohë më parë së të mbërrinte vendimi i Gjykatës Kushtetuese, zbardhja e tij sot ka vlerë për të kuptuar se kush është renditur në anën e drejtë dhe se kush ka qenë aleat më ata që skicuan planin e grabitjes. Vendimi i Kushtetueses është i prerë: Ligji special i qeverisë, që u kalua edhe në kuvend në korrik 2018 është antikushtetues, sepse shkel liritë ekonomike që janë një nga shtyllat e sistemit demokratik.

Në një argumentim të gjatë që shkon nga pika 61 e vendimit që Lapsi.al e ka lexuar të plotë e deri tek paragrafi 85, arsyetimi tregon qartë se është hartuar një ligj për të avantazhuar “Fusha SHPK”, atë që gjoja kishte paraqitur ofertën e pa-kërkuar dhe që në mënyrë shumë të dyshimtë kishte privatizuar 300 metra truall në këtë zonë pak përpara se të fillonte projekti.

Pasi bën një vlerësim teorik të rëndësisë së lirisë ekonomike një një sistem demokratik dhe rasteve kur ajo mund të kufizohet për interesa publike, gjykata zbret në rrafshin konkret. Ajo përmend se ligji fillestar që kaloi kuvendi, sikur mos mjaftonin të gjitha avantazhet ishin bërë për Fusha SHPK, ingranonte nominalisht një kompani private në votimin që bënë deputetët. “…ky ligj në versionin e parë të miratuar në datën 05.07.2018 kishte përcaktuar një trajtim të veçantë për shoqërinë “Fusha” sh.p.k., e cila ishte shoqëria që kishte paraqitur një kërkesë për shprehje interesi dhe që ishte vlerësuar si propozimi më i mirë”, thuhet në arsyetim.

Por, edhe pas zhurmës që u bë pas këtij skandali ditën për diell, edhe pas kthimit të ligjit nga presidenti dhe rekomandimit të BE-së për ta amenduar projektin, qeveria Rama nuk hoqi dorë nga favorizimi i Fushës, me të cilin sipas fakteve që kanë dalë Rama e ka bërë deal-in që në vjeshtën e vitit 2016, kur i dorëzoi për zbatim projektin e Bjarke Ingelsit.

Edhe kur e mori për rishqyrtim ligjin special në vjeshtën e vitit 2018, kuvendi ndonëse e fshiu përmendjen nominale të Fushës, vuri si kriter që çdo kompani tjetër të negocionte më të si pronar i toke nëse donte të ndërtonte teatrin. Këtë manipulim e ka theksuar edhe Gjykata Kushtetuese.

“Ky fakt… në vlerësimin e Gjykatës është një kriter që favorizon këtë shoqëri, e cila edhe pse nuk përmendet nominalisht, për shkak të statusit të saj si pronare e pasurisë së paluajtshme, pjesë e sipërfaqes së përgjithshme ku do të ndërtohet teatri i ri kombëtar, vendoset në një situatë më të favorshme krahasuar me çdo subjekt tjetër që mund të shfaqë interesin për të marrë pjesë në këtë projekt”, thuhet në paragrafin 75 të vendimit. Duke nënvizuar se kjo përbën një shkelje të barazisë në garë dhe të lirive ekonomike gjykata thekson se as përfaqësuesja e kuvendit në proces nuk qe në gjendje të jepte argumenta se përse ishte bërë një favorizim i tillë.

Sikur kjo zbardhje e hapur e marrëdhënies kulte të qeverisë me kompaninë Fusha të mos mjaftonte, kushtetuesja e lëviz edhe më thikën në plagë. Ajo vëren se rilindja nuk ka pasur të drejtë edhe në dy pika të tjera shumë të debatueshme. Të gjithë e mbajnë mend argumentin se teatri do të ndërtohej duke i dhënë truallin publik për kulla kompanisë Fusha, pasi shteti nuk kishte para ta ndërtonte vetë një teatër modern dhe ashtu siç e kërkonin artistët.

Natyrisht, ky qe një bllof për të favorizuar kompaninë private. Dhe kushtetuesja thotë: “Gjykata vlerëson se mungesa e fondeve financiare nuk përligj interesin publik të miratimit të ligjit. Për më tepër kur kjo mungesë nuk ka qenë në vetvete shkaku i miratimit të ligjit, sepse autoritetet publike, pasi procedura e ndjekur në zbatim të tij u shpall e pasuksesshme, ndryshuan qasje, duke vendosur t’ia nёnshtrojnё realizimin e projektit pikërisht rregullave tё përgjithshme të prokurimit publik me fonde buxhetore”.

Pra konkluzioni shteti kishte para për ta ndërtuar vetë, por thjeshtë përdori një truk.

Po ashtu të gjithë e mbajnë mend debatin se që Fusha të fitonte sa më shumë, natyrisht jo vetëm për vete, në 6200 metarat mbrapa teatrit ku do të lartësoheshion kullat, projekti parashikonte një koifiçient shfrytëzimi dhe intensitet ndërtimi që thyenin të gjitha ligjet e planit rregullues të Tiranës.

Kushtetuesja e ka parë edhe këtë aspekt duke arritur në përfundimin se gjithçka ka pasur për qëllim favorizimin e kompanisë private duke u anashkaluar të gjitha hesapet që duhet të bënte shteti në mënyrë që të kishte përfitim publik.

“Pavarësisht diskrecionit që ka ligjvënësi për të vepruar brenda hapësirës së tij normuese, është e papranueshme në shtetin e së drejtës ndërmarrja dhe miratimi i nismave ligjvënëse të pabazuara në vlerësime ose studime paraprake” thuhet aty duke shtuar: “ Në rastin në shqyrtim nuk rezulton që të jenë kryer vlerësime të plota dhe të argumentura për mënyrën e shkëmbimit të pronës shtetërore edhe në lidhje me vlerësimin ekonomik të saj”.

Pra e thënë shumë thjeshtë Kushtetuesja thotë se qeveria dhe mazhoranca parlamentare që e mbështeste atë ka punuar për Fusha SHPK, duke dekurajuar konkurencën e kompanive të tjera dhe duke shkelur në këtë mënyrë liritë ekonomike.

Dhe ndonëse në pamje të pakë ky vendim nuk ka ndonjë vlerë, pasi tashmë Rama dhe Veliaj u tërhoqën nga ligji special dhe thanë se do e ndërtojnë teatrin me para publike, vendimi i kushtetueses ka rëndësi sepse ai na zbardh qëllimin e vërteta pse u nis kjo histori dhe pse u shkua deri në shembjen e teatrit, një natë gjendjeje të jashtëzakonshme nga pandemia.

Në lojë ishin 200 milionë euro që do ndaheshin duke u justifikuar me ndërtimin e një vepre të madhe publike./Lapsi

 

© SYRI.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme