Si mund të shkarkohet Glauk Konjufca, nëse VV e LDK bëjnë përsëri pazar për kryeparlamentarin

Zgjedhja e Glauk Konjufcës në krye të Kuvendit të Kosovës, në seancën konstituive të 26 dhjetorit komplikoi në masë të madhe raportet që veçse ishin të acaruara në mes të LV-së e Lidhjes Demokratike të Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Ky veprim, që u cilësua i njëanshëm nga partia e udhëhequr nga Isa Mustafa, bëri që për disa ditë dy partitë të mos vazhdonin as kontaktet me njëra – tjetrën.

Kështu, Albin Kurti, që nuk arriti që të komunikonte me Isa Mustafën, pasi që ky i fundit nuk po i përgjigjej e mori edhe një hap tjetër. Përmes një video mesazhi të publikuar ditë më parë, Kurti propozoi gjashtë emrat që do të përbënin kabinetin qeveritar, duke i kërkuar edhe LDK-së, që të vepronte njëjtë.

Duke parë afatet e ngushta kohore që kanë për t’u marrë përfundimisht vesh, sot bëhet dita e tretë kur radhazi Kurti e Mustafa po diskutojnë kokë më kokë.

Së bashku me ta, të pranishëm janë edhe njerëzit më të rëndësishme të këtyre dy partive, që po mundohen që t’i japin epilog kësaj pune.

Për herë të parë pas tre muajsh, dje u tha se ka pasur lëvizje, por, që s’u bë e ditur se a bëhej fjalë për progres pozitiv.

Në orën 14:00 është paraparë që të mbahet edhe takimi i radhës ku po besohet se mund të ketë zhvillim që do të qartësojë se çka është duke i mbajtur pa u marrë vesh dy subjektet.

Nga dy partitë burime të Gazetës Express kanë folur për mundësinë që të ketë zhvillime pozitive drejt nënshkrimit të koalicionit, tash kur Kurti veçse duhet të dorëzojë emrin për mandatarin.

Madje, ashtu siç edhe Express-i ka raportuar gjatë ditës së djeshme, është vënë në tavolinë të diskutimit opsioni 6+4 për ndarje të ministrive, ku Lidhja Demokratike e Kosovës merret vesh se mund të ketë kërkuar nga LV-ja Ministrinë e Punëve të Jashtme, për ta barazuar me kryeparlamentarin ku është emëruar Konjufca.

Sot LV-ja, që ka autorizuar grupin punues në parti, do t’i sqarojë Mustafës se a pranojnë që të qeverisin pa pasur dy dikastere të rëndësishme siç është MPJ, e MPB, për të cilën është bërë mjaft zhurmë.

Si opsion tjetër po shihet edhe ai i kryeparlamentarit që në marrëveshjen e bërë në parim në mes të Mustafës dhe Kurtit i kishte takuar LDK-së.

Ani pse LV-ja ka thënë se nuk mund të kthehen mbrapa për të diskutuar për një post ku vetëm se është emëruar një person, një gjë e tillë ende nuk është finalizuar pasi që për të njëjtën pozitë është përmendur që LDK-ja ta emërojë Vjosa Osmanin, nënkryetaren e partisë.

Mirëpo, që në Kuvend të Kosovës të bëhet ndryshimi i Konjufcës me një propozim tjetër, do të jetë nëse, njeriu i dytë më i votuar në LV, të jep dorëheqje nga ky post.

Në Kushtetutën e Kosovës saktësohet se mandatari për kryetar të Kuvendit të Kosovës, si dhe anëtarët që përbëjnë kryesinë, dorëheqjen duhet ta paraqesin në Kuvend.

Akti i dorëheqjes duhet të dorëzohet paraprakisht në Kryesinë e Kuvendit.

Pas miratimit të kësaj dorëheqje, partia e parë politike që e ka emëruar kryetarin e mëparshëm propozon kandidat të ri për kryertar. E njejta procedurë zbatohet edhe në rast të dorëheqjes së ndonjë anëtari të kryesisë.

Kushtetuta e saktëson gjithashtu se mund të bëhet edhe shkarkimi i kryetarit të Kuvendit, apo anëtarëve të kryesisë. Ky opsion mund të hidhet në jetë nëse LV-ja propozon shkarkimin e Konjufcës.

Zgjedhja e kryeparlamentarit të ri, që mendohet të jetë Vjosa Osmani bëhet në mënyrën e njejtë sic bëhet edhe zgjedhja, pra duke pasur më shumë se 61 vota në Kuvend.

“Shkarkimi i Kryetarit ose i anëtarit të Kryesisë së Kuvendit, me propozim të partisë politike ose të grupit, që e ka propozuar, bëhet sipas procedurës së zgjedhjes së tyre”.

Kushtetuta e Kosovës

Kujtojmë që marrëveshja paraprake LV – LDK, thoshte se partisë së Kurtit do t’i shkonin dy nënkryetarët e kuvendit, në rast se LDK merrte kryeparlamentarin.

Nëse do të ketë zhvillime që i japin kreun e Kuvendit partisë së Isa Mustafës, atëherë, duhet të bëhet edhe shkarkimi i nënkryetarit të dytë të Kuvendit, ku është emëruar Kujtim Shala, një nga njerëzit më të votuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme