Si në shtetrrethim/ Kishin ‘blinduar’ me kamera dhe granata parcelën e kanabisit, një në pranga dhe një në kërkim në Tropojë

Një rast i sofistikuar i kultivimit të kanabisit është zbuluar në Tropojë, ku një person është vënë në pranga dhe një tjetër është shpallur në kërkim.


Në parcelën e mbjellë me bimë narkotike, ishin instaluar kamera sigurie, si dhe granata, të cilat ishin gati për shpërthim, nëse persona të tjerë mund të futeshin në zonë, dhe të pikaseshin nga pronarët.

Në pranga është vënë shtetasi Agron Hoxhaj, ndërkohë që është shpallur në kërkim shtetasi Bekim Çelaj.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Sofistikimi”.

Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Tropojë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë.

Kishin instaluar kamera dhe granata gati për shpërthim, në parcelën ku kishin kultivuar bimë narkotike, kapet dhe vihet në pranga njëri nga autorët, shpallet në kërkim autori tjetër.

Këta shtetas janë të dyshuar si autorë edhe të një rasti tjetër të kultivimit të bimëve narkotike, në vitin 2020.

Në vijim të punës për zbardhjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, të ndodhura më parë, identifikimin dhe kapjen e autorëve, efektivët e Komisariatit të Policisë Tropojë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, organizuan punën për identifikimin e autorëve të kultivimit të bimëve narkotike, në pyllin e fshatit Kovaç.

Pas punës hetimore, në bashkëpunim me Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë, u bë i mundur identifikimi i autorëve. Bazuar në provat e siguruara, më datë 10.04.2022, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tropojë ka caktuar ndaj këtyre shtetasve, masën e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, të kryera në bashkëpunim.

Në zbatim të vendimit të gjykatës u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Sofistikimi”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit A. H., 51 vjeç, banues në fshatin Kovaç dhe shpallja në kërkim e bashkëpunëtorit të tij, shtetasit B. Ç., 22 vjeç, banues në fshatin Kovaç.

Bazuar në provat e siguruara, rezulton se këta shtetas, më datë 28.09.2021, në pyllin e fshatit Kovaç, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kultivuar bimë narkotike, përreth të cilave kishin lidhur me fill sintetik 2 granata ofensive, si dhe kishin vendosur kamera, për të monitoruar zonën.

Gjithashtu, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen se në muajin korrik të vitit 2020, kanë kultivuar bimë narkotike, në fshatin Hoxhaj. Për këtë rast ishte regjistruar procedimi penal në Prokurori.

Vijon puna për kapjen e shtetasit B. Ç., identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprime të mëtejshme.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme