Prokuroria e Përgjithshme raportoi se gjatë vitit 2017 i rriti procedimet në gjykatë për veprat penale që lidhen me fushën e narkotikëve me 51% në raport me një vit më parë.
Procedimet e regjistruara për veprën penale të parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” janë rritur nga 1034 në 1193 procedime, ose e shprehur në përqindje 15,4%, ndërsa procedimet e dërguara në gjykatë për këtë vepër janë rritur 51,3%, thuhet në raportin e Prokurorisë së Përgjithshme dërguar Kuvendit.
Ndërsa procedimet e regjistruara për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotikëve” janë ulur nga 1606 në 375 procedime, ose e shprehur në përqindje 76,7%.
Lidhur me veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, numri i procedimeve të regjistruara është 196 që përbën rritje me 26,5% krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që janë dërguar në gjykatë 79 procedime penale ose 49% më shumë.
Nga të dhënat statistikore vërehet tendenca në rritje e procedimeve të regjistruara për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, në vitin 2017 prej 26,5% në krahasim me vitin 2016.
Rritja e çështjeve penale, për shkak të kultivimit dhe shitjes së drogës, vjen si një kosto e lartë për shoqërinë shqiptare, pasi studimet tregojnë se nga droga merr fuqi i gjithë zinxhiri në ekonominë e zezë, që nga pastrimi i parave, fuqizimi i krimit të organizuar dhe për rrjedhojë taksapaguesit e ndershëm shqiptarë do të paguajnë gjithnjë kosto më të larta.
Më herët gjatë javës, ekspertë në bankat tregtare shprehën shqetësimin se tregu i paligjshëm po financon sektorin e ndërtimit. Bankat kanë vërejtur se kërkesa për shtëpi ka rënë ndjeshëm këtë vit, por nga ana tjetër, ka mbiofertë në ndërtime të reja dhe çmimet po rriten gjithashtu, sjellje kjo jo e zakontë në një ekonomi normale tregu.
Një studim i mëhershëm “Krimi i organizuar, Vlerësimi i riskut në Shqipëri” arriti në konkluzionin se krimi i organizuar është i shtrirë në mbarë territorin e vendit, duke prekur drejtëpërdrejt ose tërthorazi shoqërinë shqiptare. Studimi tregon se, grupet kriminale që merren me trafikun e drogave janë më të sofistikuar dhe dyshohet se kanë vendosur lidhje të qëndrueshme me individë të korruptuar brenda agjencive ligjzbatuese, elitën politike dhe sistemin gjyqësor. Mendohet të ketë organizata kriminale me një numër të konsiderueshëm anëtarësh me mbi 20 persona, të cilët kanë qenë ish-funksionarë në institucionet shtetërore. Shqipëria vazhdon të mbetet një vend transit për drogat e forta, ku në përgjithësi vendi ynë shërben si një hallkë lidhëse e “Rrugës së Ballkanit” për në Europë.