‘Siguria në Kosovë është përmirësuar ndjeshëm’, Kurti: Veriu i vendit më i qëndrueshëm, ndikimi i Serbisë në rënie

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se situata e sigurisë në vend ka shënuar përmirësime të ndjeshme, duke vënë në pah përparimin institucional dhe bashkëpunimin mes strukturave të inteligjencës, sigurisë dhe drejtësisë.

Në një postim të gjatë në Facebook, Kurti u ndal veçanërisht te zhvillimet në komunat veriore, ku tha se ndikimi destabilizues i Serbisë është zvogëluar ndjeshëm, ndërsa sundimi i ligjit është forcuar. Ai përmendi mbylljen e rrugëve ilegale, goditjen e kontrabandës, shpalljen si terroriste të strukturave ilegale “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, si dhe arrestimin e bashkëpunëtorëve të inteligjencës serbe.

Sipas Kurtit, veriu i Kosovës, dikur një vatër e aktivitetit kriminal me ndikim prorus, ka hyrë në një fazë stabilizimi. Ai tha se edhe incidentet e rënda të armatosura, si sulmi në Banjskë më 24 shtator 2023 dhe ai ndaj kanalit Ibër-Lepenc në nëntor 2024, janë menaxhuar me sukses nga institucionet e sigurisë.

Kurti vlerësoi gjithashtu pluralizmin e shtuar politik brenda komunitetit serb në Kosovë, duke theksuar se “Lista Serbe” nuk ka më kontroll të plotë mbi përfaqësimin në Kuvend.

Ai theksoi se kërcënimet nga grupet ekstremiste fetare janë të ulëta, ndërsa ato nga ideologjitë radikale mbeten në nivel mesatar. Ndërkohë, ndikimi i aktorëve të jashtëm si Rusia, Kina dhe Irani është frenuar, sipas tij, falë bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të sigurisë.

Kurti vuri në dukje edhe rolin strategjik të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës në përballje me sfidat hibride dhe në realizimin e operacioneve efektive në terren.

“Institucionet e sigurisë janë më të koordinuara dhe më të përgatitura se kurrë për të garantuar mbrojtjen e qytetarëve dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës,” përfundoi Kurti.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme