Gazetare: Vjollca Aliti
Në klinikën për sëmundje të fëmijëve mëngjesin e sotëm ka mbërritur ilaçi “Trikafta” për 12 pacientët me fibrozë cistike. Dy pacientë janë në gjendje të rëndë shëndetësore në Klinikën e Pulmologjisë, ndërsa mjekët thonë se edhe terapia nuk dihet nëse do të ndihmojë në përmirësimin e gjendjes së tyre shëndetësore. Për këta 12 pacientë terapia është siguruar për një vit ndërsa e njëjta merret në bazë mujore në Klinikën e fëmijëve në Shkup.
“Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me institucionet kompetente zgjidhi çështjen më urgjente të kësaj kategorie të pacientëve dhe presim që përmes kësaj terapie të përmirësohet ndjeshëm cilësia e jetës së pacientëve me fibrozë cistike”, deklaroi Fatmir Mexhiti, Ministër i Shëndetësisë.
“Në Klinikën pranojmë rreth 6 pacientë dhe 2 të tjerë në Klinikën e Pulmologjisë. Presim të fillojmë me terapi këto ditë, te dikush nesër dhe ditëve të ardhshme. Presim efekt pozitiv nga terapia. Dy prej 8 pacientëve janë në gjendje kritike ato do trajtohen në Klinikën e Pulmologjisë. Efekti i terapisë është edhe i pa sigurt në këtë rast por do provojmë t’ua përmirësojmë sëmundjen e mushkërive”, u shpreh Stojka Fustiq, Drejtoreshë e Klinikës për sëmundje të fëmijëve – Shkup.
Pacientët me fibrozë cistike tanimë muaj me radhë kërkojnë nga shteti ilaçin Trikafta. Ata edhe protestuan madje kur nga mesi i muajit shkurt vdiq një pacient me këtë sëmundje të rrallë, duke pritur që shteti të sigurojë terapinë. Në mbarë vendin nga kjo sëmundje vuajnë 130 pacientë. Fibroza cistike është një sëmundje gjenetike e cila sulmon rëndë mushkëritë dhe pankreasin dhe përparon me kalimin e viteve. /Alsat.mk