Gazetar: Zekirija Haxhiu
Nenet 9 dhe 10 nga Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve nuk janë në përputhje me kushtetutën dhe ligjin për gjuhët, prandaj dhe nuk i kam nënshkruar. Kështu u arsyetua presidentja Siljanovska Davkova për kthimin prapa të ligjit, i cili mes tjerash parashikonte që licencat për punonjësit të jenë në dy gjuhë, respektivisht në maqedonisht dhe shqip, apo siç është potencuar në propozim ligj, gjuhën që e flasin së paku 20% e popullsisë. Siljanovska shprehet se vendimi i saj nuk ka qenë i ndikuar nga politika e as ka dashur që të ofendojë ndonjë gjuhë. Licencat megjithatë do të mund të merren edhe në shqip, siguron ajo.
“Vetëm bëra një thirrje që edhe një herë të shqyrtohen nenet 9 dhe 10, gjithashtu edhe njëherë të mendohet nëse kjo mënyrë e dhënies së provimit dhe marrje e licencës nuk do të lë hapësirë për autorizim diskrecional. Askush nuk konteston që kur të jepet provimi në gjuhën shqipe, licenca të merret në gjuhën shqipe. Ajo që për mua është kontestues, është që është harruar, përskaj gjuhës maqedonase dhe shqipe, e kuptohet që kur jepni provim në gjuhën maqedonase, licencën ta merrni në gjuhën maqedonase”, tha Gordana Siljanovska Davkova – Presidente.
Qeveria pasi e tërhoqi, theksoi se do ta përpunojë dhe do ta dërgojë përsëri në Kuvend.
“Bëhet fjalë për nenet 9 dhe 10 nga ligji i njëjtë. Ato dy nene ashtu siç janë formuluar janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin për gjuhët. Kështu që do të jetë vetëm formalitet, do të korrigjohen. Por të gjithë ata, në këtë rast shqiptarët të cilët do të duan që formulari për testim apo licenca të jetë edhe në shqip, kjo do të formulohet në mënyrë precize sipas kushtetutës dhe ligjit për gjuhët, do ta kenë këtë të drejtë kuptohet”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Sipas procedurës, Kuvendi ka mundësi t’i zbatojë sugjerimet dhe vërejtjet e presidentes, megjithatë kjo nuk është e detyrueshme. Pasi kthehet ligji nga Presidenca, ai duhet të shqyrtohet në afat prej 30 ditësh, nga dita e miratimit. Gjatë shqyrtimit të serishëm, deputetët mund të dorëzojnë amendamente vetëm për ato çështje që Presidenti ka dhënë vërejtje dhe sugjerime. Nëse pas shqyrtimit të dytë, Kuvendi e miraton me 61 vota, presidenti është i obliguar ta nënshkruajë dekretin për shpalljen e tij./Alsat.mk