Gazetare: Andrea Çobanova
– Advertisements –
Gjysma e të punësuarve në administratën gjyqësore nga prilli do të jenë me pagë minimale, nëse nuk ndodhë rritje graduale e pagave të tjera, shkruan Alsat.
Nga SPOGJ-i thonë se katër pozita pune do të kenë pagë të njëjtë, edhe pse kanë kualifikime të ndryshme për vendin e punës. Ata kërkojnë ndryshime urgjente në Ligjin për nëpunësit administrativë pasi nga 5 deri në 8 mijë punonjës marrin pagë nën minimalen. Nëse nuk ka rritje të pagave të tjera, SPOGJI paralajmëron grevë dhe protesta.
“Nëse nuk ka rritje graduale, do të ndodhë që punonjësit e niveleve më të ulëta t’i kalojnë të punësuarit nga nivelet më të larta, ose punonjësit me shkollë të mesme t’i kalojnë ata me shkolla të larta. Ky do të jetë një mosfunksionim total i sistemit të pagave në administratë dhe në drejtësi. E gjithë kjo është thënë në seancat e këshillit socio-ekonomik, dhe në të gjitha takimet që SPOGJ-i ka pasur me ministritë përkatës në të kaluarën dhe tani”, tha Tërpe Deanoski- Kryetar i SPOGJ.
Situata me barazimin e pagave do të jetë më e keqe në arsim, thonë nga SASHK-u. Barazim do të ketë edhe në kopshte, në arsimin fillor dhe të mesëm, thonë nga sindikata.
“Në mbrojtjen e fëmijëve në kopshte kemi dhjetë kategori të ndryshme pune, këto janë dhjetë grupe me pikë të ndryshme e që do të marrin të njëjtën pagë. Kjo do të thotë se nga kategoria fillestare e personelit teknik- ndihmës apo mirëmbajtës i higjienës e deri te kujdestari, paga do të barazohet. Është absolutisht e papranueshme, kundër ligjit dhe kundër marrëveshjeve kolektive që i kemi nënshkruar”, deklaroi Jakim Nedellkov- Kryetar i SASHK-ut.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski në emisionin “200” në Alsat theksoi se me ndryshime ligjore parashihet rritja e pagave, por ato zgjidhje janë të bllokuara nga opozita, e cila tani kërkon rritje graduale.
“Kishim zgjidhje ligjore për transformimin e marrëdhënies së punës të 4700 mësuesve në arsim nga koha e përcaktuar në kohë të papërcaktuar për pagesën e rrogës që do të jetë me koeficient dhe pagë minimale për punësimin e asistentëve në institucionet arsimore dhe kjo zgjidhje ligjore ka qenë e bllokuar”, u shpreh Dimitar Kovaçevski – Kryeministër i RMV-së.
Zgjidhja ligjore për ndryshimin e Ligjit për pagën minimale, me të cilin parashihet rritja e pagës minimale në 18 mijë denarë që në muajin e ardhshëm, është dorëzuar në Kuvend dhe së shpejti do të prezantohet në seancë të Kuvendit./Alsat.mk