Liderja e partisë së Irlandës së Veriut, Sinn Fein, Mary Lou McDonald u shpreh sot se Brexit paraqet një kërcënim të dukshëm dhe të menjëhershëm në Marrëveshjen e së Premtes së Shenjtë, që garanton paqen në ishullin e Irlandës prej dy dekadash.
”Realiteti është se Brexit dhe Marrëveshja e së Premtes së Shenjtë nuk janë të përputhshme”’, pohoi drejtuesja politike në prani të medias, pas marrjes së drejtimit të partisë në fillim të shkurtit.
”Edhe nëse Brexit do të jetë i lehtë apo i vështirë përbën një kërcënim të dukshëm dhe të menjëhershëm në funksionimin politik, ekonomik dhe social të Irlandës në tërësi.
Mary Lou McDonald ka kritikuar deklaratat e fundit të disa parlamentarëve britanikë pro-Brexit që sugjerojnë një rishikim të marrëveshjes së paqes, ndërsa e ardhmja e kufirit mes provincës britanike të Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës mbetet një nga çështjet më delikate të negociatave me Brukselin, përcjell Atsh.
”Në këndvështrimin tonë ky është një qëndrim mjaft tronditës dhe i papërgjegjshëm”, deklaroi ajo.
Ajo paralajmëroi në lidhje me vendosjen e një kufiri fizik, duke kërkuar shmangien e një skenari të tillë. Një masë e tillë do të ishte katastrofike në planin e tregtisë, qasjes në shërbime, në aspektin e jetës së përditshme për qytetarët.