“Situata është e tmerrshme”- Shqiptari që ka parë me sy luftën në Kiev tregon momentet e vështira: Përjetova bombardimet e Rusisë

Bashkim Buxhovi, një shqiptar i Kosovës me vendbanim në Kiev të Ukrainës, tha në një bisedë për Zërin e Amerikës përmes platformës Viber, se ka arritur të largohet nga kryeqyteti dhe aktualisht ndodhet në kufirin me Hungarinë. Aty po pret të bashkohet me dy fëmijët e tij për t’u larguar nga Ukraina.


“Para tri dite kam qenë në Kiev dhe kam parë vet bombardimet dhe kam parë se çfarë po ndodhë, kam përjetuar vet ato sulmet që i ka bërë Rusia në pjesë të Ukrainës. Unë ato dy ditë kam qenë në Kiev kur është bërë bombardimi, kur është bërë rrethimi i Kievit edhe atë tmerr e kam përjetu edhe vet, kam qenë dëshmitar. Pastaj fëmijët e mi u larguan nga Kievi, patën probleme rrugës dhe u desh që edhe unë të shkoj pas tyre”, tha ai.

Zoti Buxhovi, që thotë se është me shëndet jo të mirë ndodhet në qytetin perëndimor të Ukrainës, Uzhhurod. Ai thotë se fëmijët e tij, djali 33 vjeç dhe vajza 29 vjeçe janë nisur me makinë për në kufirin hungarez ndërsa vet ka shfrytëzuar trenin për të dal nga Kievi.

“Po, po i pres fëmijët me ardhë, fëmijët po më thonë që ushtarët po i ndalin djemtë e rinj dhe po i çojnë në front menjëherë sepse i kanë ikur shërbimit ushtarak, detyrës së vet patriotike, dhe mund të ndodh që ata i nxjerrin prej veturës”, tha ai.

“Jam duke pritur djalin me vajzën prej rrugës të rrezikshme, si të vijnë ata te na, ne menjëherë duhet të shkojmë në kufi të Hungarisë edhe pse me dhjetëra kilometra janë kolonat e automjeteve duke pritur për të kaluar kufirin, po provojmë me prit në rend dhe me dal diqysh. Nëse vijnë ata (fëmijët) bëhet mirë, mirëpo po frikësohem që po ju ndodh diçka rrugës”, tha ai.

Zoti Buxhovi thotë se gjatë ditëve të para në Kiev ka qëndruar në banesën e tij dhe nuk ka pasur mundësi të strehohet pasi objekti ku jeton nuk ka pasur bodrum për t’u fshehur. Ai thotë se nuk kanë mundur as të dalin jashtë për shkak të rrezikut.

Zoti Buxhovi thotë se jeton në Ukrainë prej 30 vitesh dhe se nga Kosova ka ikur për shkak të kushteve të rënda ekonomike gjatë kohës së sundimit serb. Në atë kohë, thotë ai, kishte mbetur pa punë dhe me dy fëmijë të vegjël.

Në Ukrainë, ai thotë se ka patur disa ndërmarrje të vogla private ku ka shitur produkte kozmetike dhe prodhime të tjera estetike. Zoti Buxhovi thotë se situata në Ukrainë ka filluar të përkeqësohet pas vitit 2014 kur ka ndodhur revolucioni “portokalli” dhe partitë e lidhura me Rusinë kanë humbur pushtetin në Ukrainë.

“Si u ra (Viktor) Janukoviçi dhe si fitoi revolucioni, Janukoviçi iku në Rusi me gjithë elitën e vet, fituan këta të Ukrainës të partive perëndimore edhe ende janë në pushtet. Për ata rusi është bërë nervoz sepse nuk ka më mundësi që nëpërmjet njerëzve të vet kukulla me marr pushtetin, tash po dëshiron me forcë, por as me forcë nuk po mundet. Nuk e di se si do të ndodh puna por janë çuditë qysh mundet Ukraina kaq vend i dobët me i ba ballë një superfuqie”, tha ai./VOA

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme